20 Nëntor 2024

Diaspora, potencial i fuqishëm i zhvillimit ekonomik të Kosovës

Cyrih, 1 qershor- Organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes Konsullatës në Cyrih dhe me përkrahjen e Administratës Tatimore dhe Doganave të Kosovës, të premten është zhvilluar një takim me përfaqësuesit kryesor të bizneseve kosovare në Cyrih të Zvicrës.

Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të strategjisë së MPJ-së për diplomaci ekonomike e cila synon që të promovojë investimet e huaja në Kosovë dhe nxis eksportin nga Kosova për vendet tjera, si dhe rris bashkëpunimin ekonomik me vendet tjera.

Në këtë kontekst, diaspora kosovare është një nga urat ndërlidhëse dhe burimet kyçe të jetësimit të një diplomacie aktive ekonomike.

Në takim kanë marrë marr pjesë dhjetëra afaristë e biznesmenë kosovarë të cilët veprojnë në Zvicër, ku janë njoftuar nga afër me ambientin ekonomik, mundësitë e investimeve, sistemin tatimor, procedurat doganore e resurset e tjera të shumta ekonomike që Republika e Kosovës ofron për bizneset e mërgatës.
 
Takimi përcolli mirënjohjen e institucioneve të Kosovës për kontributin e mërgatës deri tani, prezantoi mundësitë e shumta që Kosova ofron për investime, si dhe trajtoi çështjet që duhet të avancohen në mënyrë që investimet e tyre të shënojnë një trend më të lartë.

Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, Sali Sefa, ka folur për rolin e pazëvendësueshëm që mërgata ka pasur dhe vazhdon të ketë për Kosovën.

Sefa ka thënë se mërgata edhe tash e tutje mund të vazhdojë të jetë katalizator i zhvillimit ekonomik, duke pas një rol shumë të fuqishëm në ngritjen ekonomike dhe investimet e jashtme në Kosovë.

Mustafë Xhemajli, ministër këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Bernë, gjatë fjalës së tij ndër të tjera ka njoftuar se kanë filluar përgatitjet për themelimin e Odës Ekonomike Zvicerano-Kosovare, cila pritet të ketë një rol të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e investimeve, përfshirë edhe ato të mërgatës në Republikën e Kosovës.

Agron Maloku, drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Ekonomik Ndërkombëtar në MPJ ka njoftuar detajisht biznesmenët e mërgatës për avantazhet, mundësitë dhe resurset e shumta që shteti i Kosovës ofron për investimet e tyre.

Maloku ka veçuar resurset e mëdha natyrore, qasjen e lirë në tregje (CEFTA, BE, etj), institucionet moderne në përkrahjen e bizneseve, sistemin e sigurt bankar, strukturën moderne  ligjore në përputhje të plotë me atë të BE-së.

Duke prezantuar Kosovën si vend shumë atraktiv për i investime, Maloku vlerësoi se është shumë e rëndësishme që këto mundësi të shfrytëzohen më tepër nga diaspora jonë.

Sakip Imeri, drejtor i Shërbimit dhe Edukimit të Tatimpaguesve në ATK ka prezantuar sistemin e tërësishëm të tatimeve të aplikueshme, lehtësitë tatimore dhe procedurat administrative shumë të avancuara që ka krijuar Kosova në këtë aspekt.

Duke iu referuar faktit se raportet ndërkombëtare e vendosin Kosovën në pozita shumë të favorshme të të bërit biznes, Imeri, i ka bërë thirrje mërgatës kosovare që të jetë edhe më fuqishëm e pranishme në ekonominë kosovare.

Fahri Gashi, përfaqësues i Doganave të Kosovës, ka prezantuar lehtësitë doganore dhe avantazhet që ka Kosova në këtë aspekt, të cilat gjithsesi se janë faktor i rëndësishëm në nxitjen e investimeve nga jashtë.

Më pas, takimi është zhvilluar në frymën e një debati konstruktiv, ku janë trajtuar të gjitha çështjet në interes të bizneseve të diasporës, përfshirë edhe sugjerimet për avancime të mëtutjeshme, të cilat do të rezultojnë me një angazhim edhe më të madh të investimeve të tyre në shtetin e Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)