Diaspora nis sot 200 pako me produkte ushqimore në Vushtrri
Rrjeti i parë i Bizneseve shqiptare Fondacioni “BESA” nga Bavaria, Klubi i Prodhuesve të Kosovës, Organizata GERMIN, së bashku me Fondacionin Global Shqiptar, organizojnë fushatën për mbledhjen e fondeve për t’iu ardhur në ndihmë familjeve në nevojë në Kosovë, të prekura nga COVID-19, duke iu mundësuar nga një pako me ushqime dhe produkte bazë të higjienës.
Sot në Vushtrri niset kontingjenti me 200 pako me produkte “Made in Kosova”, të cilat do të arrijnë në komunë për t’i shpërndarë më pas në familjet në nevojë.
Këto pako përmbajnë produkte ushqimore dhe higjienike bazike dhe janë siguruar nga donatorë nga diaspora dhe Kosova, që t’u dalin në ndihmë familjeve me asistencë sociale.
“Besa për Kosovën: Diaspora në ndihmë të atdheut gjatë COVID-19”, është fushatë humanitare për mbledhjen e fondeve kryesisht nga diaspora, për të ndihmuar familjet të cilat janë në kushte të vështira ekonomike gjatë pandemisë së shkaktuar nga virusi COVID-19, dhe njëkohësisht për të mbështetur prodhuesit vendorë, duke qenë se produktet e këtyre pakove janë 100% “Made in Kosova”.