Devollit mund ti merren pronat e privatizuara paligjshëm
Prishtinë, 6 janar - Zyrtarët e \"Emin Durakut\" këmbëngulin se nuk do të ndalen derisa të realizojnë të gjitha të drejtat e veta, që nënkupton kthimin e pronave, shumë prej të cilave, padrejtësisht, tashmë janë privatizuar e ku ka përfituar edhe kompania \"Devolli\", e afërt me qeveritarët e Kosovës.
Rasti i ankesës së \'Holding Companisë\' (HC) \"Emin Duraku\" në Gjakovë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, lidhur me statusin juridik të saj, mbase dëshmon thënien popullore se \"Drejtësia vonon por nuk harron\". U desh zyrtarët e kësaj kompanie të presin gati 7 vjet e gjysmë për të marrë nga kjo gjykatë përgjigjen që e kërkonin, respektivisht për të fituar atë që ata me këmbëngulje insistonin se u takon.
Ata, pak ditë para ndërrimit të moteve, morën satisfaksionin se ankesa dhe insistimi i tyre ishte i bazuar në ligj, dhe se të gjitha veprimet që kishin ndërmarrë të tjerët kundër kësaj kërkese të tyre ishin kundërligjore.
Transformimi i \"Emin Durakut\" në SHA, i ligjshëm
Në fakt, të pakënaqur me veprimet që ndërmerrte Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) dhe trashëguesi i tij, Agjencia Kosovare e Privatizimit(AKP), e që kishin të bëjnë me qitjen në shitje të aseteve të kësaj kompanie në kuadër të procesit të privatizimit, zyrtarët e saj, më 21 korrik të vitit 2008 u ishin drejtuar me ankesë Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, duke kërkuar që t\'u njihet statusi i Shoqërisë Aksionare (SHA), të bindur se transformimi i pronës në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar ishte bërë në përputhje të plotë me ligjet në fuqi.
Pas gati 7 vjet e gjysmë pritje, kjo gjykatë ka marrë vendim(nr.1661/12/15), një kopje të së cilit e ka siguruar gazeta, ku thuhet se padia e paditësit vërtetohet dhe HC \"Emin Duraku\" i pranohet statusi i SHA-së.
/Kosova Sot/