15 Maj 2024

Dërgohen ushqime për fshatrat shqiptare të Leposaviqit

Mitrovicë, 30 janar - Komuna e Mitrovicës, përkatësisht Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Drejtoria për Mirëqenie Sociale, ka ndihmuar me një kontingjent ndihmash ushqimore banorët e fshatrave shqiptare të Leposaviqit.

Kjo është mirëpritur nga banorët, të cilët pos me barrikada, ditëve të fundit janë ballafaquar me probleme për qarkullim  edhe si pasojë e borës së madhe.

Me ndërhyrjen e komunës tash është pastruar nga bora edhe rruga që lidh këto fshatra me magjistralen Mitrovicë-Prishtinë. Zyrtarët komunalë në Mitrovicë, tregojnë se kanë marrë përsipër shpenzimet e punës së një kompanie për zhbllokimin e asaj rruge.
 
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha bora e madhe që kanë rënë ditëve të fundit, ka sjellur telashe të mëdha për banorët, sidomos në zonën e Shalës.


“Trashësia e borës ka qenë e madhe edhe në tri fshatrat shqiptare të Leposaviqit, në Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë dhe për disa ditë banorët kanë mbetur të izoluar”.

Tha se pas intervenimit të një kompanie të angazhuar nga KFOR-i, ishte pastruar vetëm një pjesë e rrugës atje, ndërsa për pjesën tjetër e ka marrë përsipër Komuna e Mitrovicës. “Tashmë rrugët janë të kalueshme dhe kombibusi ka nisur qarkullimin për atje”.

Ndërsa për kontingjentin ushqimor, drejtori për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, tha se ka pasur kërkesa prej banorëve për ushqime për shkak se disa ditë kishin mbetur të izoluar.

“Ne jemi organizuar dhe kemi siguruar ushqime dhe mjete higjienike për 37 familje të këtyre fshatrave”.

Tha se Komuna e Mitrovicës banorëve të atyre fshatrave u ka dalur në ndihmë disa herë gjatë muajve të fundit, pas situatës së krijuar atje nga barrikadat e vendosura në rrugët magjistrale nga strukturat ilegale serbe.

“Ne kemi qenë vazhdimisht në kontakt dhe ata banorë, në mënyrë që bashkërisht të gjejmë mënyrën më të mirë për të sfiduar problemet e mëdha”.

Për mbështetjen e Komunës së Mitrovicës, shprehën mirënjohës edhe banorët e atjeshëm. Lulzim Hetemi nga Bistrica, tha se Komuna e Mitrovicës është duke ju dalur në ndihmë vazhdimisht.

“Na kanë ndihmuar me ushqime, mandej disa herë e kanë rregulluar edhe rrugën malore dhe vazhdimisht jemi në kontakt”.

Tha se problemi më i madh për banorët e Bistricës, Cerajës dhe Koshtovës mbeten barrikadat që kanë vështirësuar së tepërmi lëvizjen e lirë. 

 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)