Deputetja Kadriu kërkon të luftohet evazioni fiskal dhe korrupsioni
Prishtinë, 26 shkurt - Në seancën plenare të Kuvendit, deputetja e pavarur Margarita Kadriu në fjalimin e saj ngriti çështjen e Komisionit hetimor parlamentar, i cili do të hetonte dhe do të bënte gjetjet e qëndrueshme për të vërtetën reale në mbledhjen e tatim taksave, se si kemi humbur dhe po vazhdojmë të humbim për çdo vit kalendarik nga një buxhet të tërë.
Ajo iu drejtua kolegëve të saj deputetë duke kërkuar nga të gjithë ata që nuk janë të lidhur me bizneset klienteliste e kriminale, të cilët me mbështetjen e pushtetarëve e dëmtojnë buxhetin e Kosovës, që të krijojnë urgjentisht Komisionin hetimor parlamentar për hetimin e evazionit fiskal, kontrabandës në kufi, ndërkaq nga Qeveria pret që, pas reagimit të kryeministrit, të ndërmerren veprime konkrete për çlirimin e shtetit nga bandat e hienat kriminale.
Në fund znj. Kadriu theksoi se për të qenë shumë e qartë, kryeministri i ka dy mundësi para vetes.
"E para, të negociojë dhe të bashkëjetojë me krimin, siç është bërë në këto 15 vjetët e fundit, apo e dyta, të diferencohet rrënjësisht dhe ta luftojë krimin, por jo vetëm me fjalë,veçse me vepra konkrete", theksoi deputetja Kadriu.