Deputetëtet vizitojnë AKP-në
Prishtinë, 28 janar - Udhëheqësit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit pritën sot në një takim anëtarët e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri të udhëhequr nga Kryesuesi i këtij Komisioni Zenun Pajaziti.
Gjatë takimit që kishte karakter pune, drejtuesit e AKP-së, të prirë nga Zv Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, Skender Komoni njoftuan anëtarët e Komisionit Parlamentar, me zhvillimet e përgjithshme në Agjenci dhe me sfidat me të cilat po përballet AKP-ja si institucion i pavarur i themeluar dhe mbikëqyrur nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij takimi, Zv Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Skender Komoni shtroi nevojën e një bashkëpunimi më të afërt në mes të dy institucioneve, vuri në pah domosdoshmërinë e kompletimit të Bordit me tre anëtarët që aktualisht mungojnë në këtë organ, si dhe nevojën për ndryshime të infrastrukturës ligjore në mënyrë që të vazhdohet me privatizimin dhe likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, z.Zenun Pajaziti, në emër të gjithë anëtarëve të Komisionit, tha se AKP duhet të vazhdojë punën e vet, gjithnjë duke zbatuar ligjin në fuqi.
Ai tha se Komision do të angazhohen në dhënien e mbështetjes së procesit të privatizimit dhe likuidimit, në mënyrë që të mos mbetet pezull vendimmarrja në AKP, ndërkaq shtoi se do të angazhohen bashkë me Qeverinë e Kosovës që të bëhen përmirësimet e duhura ligjore, për çka tha se tashme kanë marrë kërkesë nga ana e AKP-së.
Anëtarët e Komisionit gjatë këtij takimi pune u informuan drejtpërdrejt nga drejtuesit e AKP-së lidhur me disa çështje konkrete dhe se takimi u vlerësua në përgjithësi si i suksesshëm dhe më se i nevojshëm për zhvillimet aktuale në procesin e privatizimit të pronës shoqërore në Kosovë. Ishte pajtim i dyanshëm që takimet e tilla duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen.