Deputetët përfitojnë 170 mijë euro shpenzime të rrugës
Prishtinë, 13 nëntor - Deputetët e Kuvendit marrin 4 mijë euro në vit për shpenzimet e rrugës, ndonëse shumica prej tyre banojnë në Prishtinë.
Sipas një dokumenti të siguruar nga gazeta Zëri, gjatë vitit të kaluar shpenzimet e rrugës për 75 ligjvënës kosovarë kanë arritur shumën prej mbi 170 mijë euro.
Përpos pagës mujore prej rreth 1500 euro, 240 eurove në muaj për pjesëmarrje në seancat plenare, deputetët marrin mbi 300 euro edhe për shpenzimet e rrugës.
Çështja e shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve është e rregulluar me vendim të Kuvendit të Kosovës, i cili parasheh decidivisht kompensim për shpenzimet e udhëtimit për pjesëmarrje të deputeteve në punimet e seancave plenare dhe në komisione nga 10 euro deri në 30 kilometra, kurse nga 20 euro deri në 60 kilometra dhe 30 euro më shumë se 60 kilometra.
/Zëri/