Departamenti Amerikan i Shtetit kritikon Kosovën për korrupsionin
Washinton, 12 mars - Departamenti Amerikan i Shtetit bëri dje publik raportin e gjendjes së të drejtave të njeriut për vendet e ndryshme gjatë vitit 2009.
Për Kosovën, raporti citon disa probleme, duke filluar që nga vdekjet dhe plagosjet nga minat e pashpërthyera e deri tek korrupsioni qeveritar dhe ndërhyrja e qeverisë tek forcat e sigurisë dhe tek sistemi i drejtësisë, mungesa e proceseve të drejta gjyqësore, dhuna politike dhe etnike, antipatia e shoqërisë ndaj serbëve dhe kishës ortodokse serbe, mungesa e përparimit në kthimin e personave të zhvendosur, dhuna dhe diskriminimi ndaj grave, trafikimi i qenieve njerëzore, diskriminimi ndaj pakicave, personave me aftësi të kufizuara, diskriminimi për shkak të orientimit seksual si dhe puna e fëmijëve në sektorin informal.
Raporti thotë se hetimet kanë vazhduar në lidhje akuzat për trafikimin e civilëve të rrëmbyer nga Kosova dhe të dërguar në Shqipëri, ku pretendohet se disa janë vrarë dhe organet e tyre janë trafikuar gjatë konfliktit të vitit 1999 në Kosovë.
Gjatë vitit 2009 kishte njoftime për kërcënime dhe sulme ndaj figurave politike dhe institucionale. Megjithatë nuk kishte njoftime për zhdukje të personave politikë. Kryqi i kuq ndërkombëtar bëri të ditur se ndërkohë mbeten ende 1,875 persona të zhdukur që nga konflikti i vitit 1998-1999.
Raporti vë në dukje abuzimin dhe keqatrajtimin e të burgosurve në disa raste.
Për sa u përket forcave të sigurisë, raporti thekson se korrupsioni dhe ndërhyrja qeveritare vazhduan të jenë problematike gjatë 2009-ës. Mes tjerash vihet në dukje njëanshmëria në disa raste e punonjësve lokalë të sistemit të drejtësisë.
Pavarësisht se kushtetuta e Kosovës mbron të drejtën e fjalës së lirë, gjatë 2009-ës ka pasur njoftime për kërcënimin e gazetarëve nga zyrtarët publikë, figurat publike dhe bizneset. Media ka hasur gjithashtu probleme në mbledhjen e informacionit nga institucionet qeveritare dhe publike.
Raporti thotë se niveli i dhunës shoqërore në Kosovë ka vazhduar të bjerë, megjithatë, tensionet mes komuniteteve etnike vazhduan të mbeten të larta, sidomos në pjesën veriore të Mitrovicës.
Personat e zhvendosur si gjatë konfliktit të vitit 1999, ashtu edhe gjatë protestave të vitit 2004 vazhdojnë të hasin vështirësi në kthimin e tyre në vendbanimet e mëparshme.
Raporti thotë se zgjedhjet përgjithësisht ishin të lira dhe të drejta, përveç disa të metave teknike.
Ndër problemet kryesore të të drejtave të njeriut për Kosovën, raporti përqendrohet tek dhuna në familje, trafikimi dhe abuzimi i femrës në shoqëri. Raporti thotë se rastet e dhunës në familje shpesh nuk denoncohen tek autoritetet e vendit, por edhe kur kjo ndodh, ndjekjet penale janë të rralla dhe të vonuara.