Dell, Kosova ka përkrahjen e plotë të SHBA-ve
Prishtinë, 14 prill - Ministrja e Ministrisë së Administratës Publike, znj Edita Tahiri ka pritur sot në një takim të veçantë ambasadorin e Shteteve te Bashkuara të Amerikës, z. Christopher Dell.
Ministrja Tahiri ka shprehur respektin dhe mirënjohjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ambasadorin Dell, për përkrahjen e fuqishme dhe të vazhdueshme për Kosovën dhe popullin e saj. Ajo ka theksuar se me zhvillimet e fundit politike në vend është dëshmuar një mentalitet i ri në qeverisje, ku kohërat kanë ndryshuar në Kosovë dhe se ndryshimet pozitive janë të mundshme.
Ndërkaq, Ambasadori Dell ka shprehur kënaqësinë që e takon serish znj Tahiri, tanimë në pozitën e ministres. Ai ka thënë se Kosova është në një periudhë të rëndësishme dhe është e domosdoshme të ketë sistem funksional të tërë aparatit shtetëror.
Diplomati amerikan ka theksuar se meqë agjenda shtetërore e Kosovës është e fokusuar drejt zhvillimit ekonomik, i cili është faktor shumë i rëndësishëm në forcimin e shtetit të ri,ndryshimet e fundit janë të mirëseardhura dhe SHBA-të janë të inkurajuara me ndryshimet e bëra.
Në rrugën drejt së cilës synon Kosova, rol të rëndësishëm ka edhe Ministria e Administratës Publike, prandaj unë sot jam këtu që tju shpreh përkrahjen e plotë të Shteteve te Bashkuara te Amerikës ka thënë ambasadori Christopher Dell.
Ai ka shprehur besimin e tij në kapacitetet dhe përvojën të cilën znj. Tahiri e ka në karrierën e saj të gjatë politike dhe diplomatike.
Ministrja Tahiri e ka njoftuar shkëlqesinë e tij, z. Dell se në Ministrinë që ajo tashmë e drejton, ka gjetur një kornize pune institucionale, por ka theksuar se institucionet e Kosovës kanë nevojë për rritjen e dinamikës, cilësisë dhe efikasitetit të punës, që qytetari të ndjejë sa më parë përmirësimin e kualitetit të jetës.
Në vazhdim të takimit ajo është përqendruar në prioritetet e MAP-së, përfshirë këtu rrumbullkasimin e kornizës ligjore, që ka të bëjë me administratën, gjë që është e domosdoshme për lëvizjen e proceseve përpara dhe bazë për funksionalizimin e projekteve që ndikojnë në procesin e reformimit të administratës. Gjithashtu, qeverisja elektronike, avancimi i infrastrukturës qeveritare dhe procesi i regjistrimit të popullsisë, janë objektiva, realizimi i të cilave mundëson një shtet funksional, administratë të paanshme politikisht dhe profesionale, e cila ofron shërbime efikase dhe efektive, ka thënë ministrja Tahiri.
Duke shprehur gatishmërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin me SHBA-të, ministrja Tahiri theksoi nevojën për mbështetje lidhur me domenin më të lartë të shtetit të Kosovës në internet, për të cilën Kosova ka trashëguar të drejtën në ITU mbi parimin e sukcesionit. Gjithashtu, në këtë takim u bisedua edhe për çështje të tjera të rëndësishme, ku bashkëpunimi i dyanshëm do të ishte i nevojshëm dhe i mirëseardhur.
Ky ishte takimi i parë zyrtar me ambasadorin Dell, prej kur znj. Edita Tahiri ka marrë drejtimin e MAP-së.