29 Dhjetor 2024

Dell: Kosova ka një ekonomi të pabalancuar e të paqëndrueshme

Prishtinë, 14 maj - Gjatë një ligjërate të mbajtur në 15-vjetorin e themelimit të Institutit RIINVEST ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell ka deklaruar se Kosova ka një ekonomi të pabalancuar dhe të paqëndrueshme në kuptimin afatgjatë si dhe korrupsioni dëmton gjithmonë zhvillimin ekonomik të secilit vend, përfshiрë edhe Kosovën.

Ai rikonfirmoi mbështetjen amerikane për EULEX-in në angazhimet për luftimin е krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Këto komente, Dell i bëri pas një ligjërate që mbajti në 15-vjetorin e themelimit të Institutit RIINVEST, me temën “Aktivizimi i burimeve të rritjes ekonomike në Kosovë”.

Që të ulet shkalla e korrupsionit, Dell sugjeroi zvogëlimin e rolit dominues të Qeverisë te ndërmarrjet më të mëdha publike, duke favorizuar në anën tjetër zhvillimin e sektorit privat.

Ambasadori amerikan rikujtoi se zhvillimi ekonomik është rruga që e bashkon Kosovën në familjen e integruar evropiane. Ai tha se Kosova vazhdon të ballafaqohet me zhvillim të ulët ekonomik, papunësi dhe investime të vogla nga jashtë, çka e bën atë që të mos krenohet me zhvillimin e arritur.

”Një ekonomi e tillë, e pabalancuar, është e paqëndrueshme në kuptimin afatgjatë. Është imperative që Kosova të zhvillojë një bazë legale të fuqishme të zhvillimit ekonomik, që do t’i mundësojë asaj që të jetë kandidat për integrim në Bashkimin Evropian”, tha Kristofer Dell.

Ai rikujtoi se rritja ekonomike vjetore në Kosovë vlerësohet nga 3-5 për qind. Përderisa papunësia llogaritet në 45 për qind, prej tyre 75 për qind të rinj kërkojnë punë. Dell tha se llogaritjet e bëra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkojnë që Kosova të shënojë rritje vjetore prej 7 për qind, në mënyrë që gjendja e rëndë që ekziston, të fillojë të përmirësohet.

“Kosova ka nevojë të krijojë 30 mijë vende të reja pune në vit, përderisa aktualisht arrin të krijojë 3 deri në 4 mijë vende pune”, tha Dell.

Më pas, Dell mori shembuj ekonomitë e vendeve të tjera, të cilat ishin ballafaquar me sfida të ngjashme, si Zimbabve apo Gjeorgjia.

Ai tha se te disa vende, forcat që dalin fituese nga lufta, mendojnë se gjaku i derdhur për liri u mundëson atyre të pasurohen në paqe. Por, ai shprehu besimin se Kosova ka një lidership që mendon ndryshe dhe në vend të pasurimit personal, të ketë si qëllim zhvillimin dhe pasurimin e vendit.

Ambasadori amerikan përmendi tri shtylla kryesore të zhvillimit të Kosovës, si: energjinë, zvogëlimin e dominimit të Qeverisë në ndërmarrjet e mëdha publike dhe miniera, si dhe ngritjen e bizneseve private.

Gjithashtu, ai inkurajoi vazhdimin e projekteve të mëdha, si: koncesionimi i Aeroportit të Prishtinës, privatizimi i PTK-së dhe ndërtimi i termocentralit Kosova e Re.

Me gjithë gjendjen jo të lakmueshme ekonomike, me të cilën po ballafaqohet Kosova, Dell inkurajoi kosovarët se Shtetet e Bashkuara do të jenë me ta dhe do t’i ndihmojnë e përkrahin që të mos mbeten vendi më i pazhvilluar i Evropës.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë me ju. Te ecim së bashku përpara, të ecim së bashku kah prosperiteti dhe shpresa për Kosovën”, tha ambasadori Dell.

Ai u sugjeroi kosovarëve që të mësojnë edhe nga praktikat e vendeve të tjera, në mënyrë që të zhvillojnë një ekonomi tregu, ku bizneset private, investitorët e huaj, si dhe eksporti do të shënonin rritje, çka automatikisht do të gjeneronte zhvillim dhe vende të reja pune.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)