Delegacioni i BQK-së në konferencën e organizuar nga Banka Qendrore Evropiane
Frankfurt, 12 qershor - Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Flamur Mrasori, i shoqëruar nga anëtari i Bordit Behxhet Brajshori, po marrin pjesë në konferencën e 8-të të nivelit të lartë të organizuar nga Banka Qendrore Evropiane me temën: Përgjigja e vendeve të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore ndaj ndryshimeve në fushën tregtare dhe financiare.
Fjalën mirëseardhëse për pjesëmarrësit e kësaj konference e ka mbajtur presidenti i BQE-së, Mario Draghi, kurse folëse kryesore është drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Christine Lagarde.
Kjo konferencë vjetore është e nivelit të lartë, e cila kësaj radhe është organizuar në dy sesione kryesore me tema shumë të rëndësishme dhe me folës nga institucione të larta financiare botërore si FMN-ja, Banka Botërore, BERZH-i, përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësues të Bankave Qendrore të vendeve të ndryshme evropiane.