Debatohet për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore
Prishtinë, 28 tetor - Projektligji për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, ishte temë e debatit, në dëgjimin publik organizuar sot nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.
Duke folur për qëllimin e këtij takimi, kryetari i Komisionit, Muhamet Mustafa, tha se dëgjimi publik është organizuar me qëllim të nxjerrjes së një ligji sa më të mirë që rregullon fondin për garanci kreditore.
Projektligjin, ndërkaq, e paraqiti përfaqësuesja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Remzije Hajdari.
Ajo tha se projektligji ka kaluar në një proces të gjatë të komunikimit publik, me qëllim që hartimi i tij të jetë sa më adekuat dhe të krijojë mundësi sa më të mëdha për bizneset.
Në vijim, përfaqësuesja e ministrisë, Hajdari, sqaroi se, nëpërmjet këtij projektligji synohet të kompletohet pakoja e masave që do të rrisin investimet vendore dhe ato të jashtme në sektorin privat. Kosova, tha më tej ajo, ka nevojë urgjente për përmirësimin e gjendjes financiare të bizneseve dhe bëri thirrje për përkrahjen e tij edhe gjatë procedurave të mëtejme të trajtimit të tij.
Në favor të projektligjit është shprehur edhe përfaqësuesi i USAID-it, Michael Gold. Ky projektligj, vlerësoi ai, është i bazuar në praktikat më të mira dhe do të ndikojë në krijimin e një ambienti të përshtatshëm biznesor në vend. Qëllimi i këtij projektligji tha më tej, Gold, është të ndërtojë një skemë të qëndrueshme buxhetore për bizneset e reja, të vogla dhe të mesme. Ky projektligj, është i ndërtuar në praktikat të cilat aplikon edhe vetë USAID-i, ndërkaq, është pjesë integrale e masave tjera në përmirësimin e ambientit biznesor në Kosovë, tha Gold.
Në emër të Institutit GAP, foli Agron Demi. Sipas tij, fondi i paraparë në këtë projektligj, do të jetë i suksesshëm vetëm nëse përkrahet edhe nga institucionet e tjera relevante. Më tej, ai ofroi edhe rekomandimet e këtij instituti dhe u shpreh i gatshëm që të bashkëpunojë ngushtë edhe me grupin punues gjatë amendamentimit të projektligjit.
Vërejtjet dhe rekomandimet lidhur me këtë projektligj i paraqitën edhe anëtarët e komisionit, ndërkaq, kryetari, Mustafa, tha se rekomandimet e paraqitura gjatë debatit, do të do të trajtohen në grupin punues gjatë formulimit të amendamenteve.