Dallavere me hapësira reklamuese në Prizren
Prizren, 14 maj - Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se shpërdorimi i hapësirave publike të Komunës së Prizrenit në dobi të interesit privat nuk ka të ndalur.
Përpos dhënies në shfrytëzim pa kriter, hapësirat publike janë bërë arka fitimi të bizneseve të afërta me pushtetin, pavarësisht faktit se nuk po i kryejnë detyrimet e tyre karshi Komunës së Prizrenit.
Rastin më flagrant ku shkeljet kanë arritur shifrën mbi 100.000 në vit është ai me kompaninë SFINGA në Prizren.
Kjo kompani shfrytëzon hapësira publike të konsiderueshme si hapësira marketingu, megjithatë asnjëherë nuk iu përmbajt kushteve të përcaktuara me kontratë, në veçanti për shlyerjen e obligimeve në kohë, e paraparë me nenin 2.5 të kontratës së nënshkruar në vitin 2008 dhe 2013.
Pavarësisht kësaj, drejtori Hasan Hasani me datë 13.11.2013 ia vazhdon kontratën kësaj kompanie, ndonëse firma SFINGA nuk i realizoi detyrimet që rrjedhin nga kontrata e parë. Sipas dokumenteve nga Drejtoria e Financave, obligimet e këtij operatori janë mbi 50.000 në vit.
Në Prizren janë gjithsej 14.800 metra rrugë me hapësira marketingu, pa e llogaritur qendrën historike të qytetit.
Pothuajse në çdo shtyllë të ndriçimit publik është vendosur nga një reklamë, dhe na del se në këtë gjatësi të rrugëve kemi 592 reklama me nga 1m2, afërsisht 280 tabela City light me sipërfaqe 2 m2, si dhe 100 tabela në sipërfaqe prej 6 m2.
Duke u bazuar në Rregulloren për tarifa nr. 01/011-4099 të vitit 2009, na del se në baza vjetore komuna inkason 100 euro për një metër katrorë të reklamës apo tabelës së vendosur.
Sipas llogarisë së bërë mbi bazën e kësaj rregulloreje na del që komuna është dashur të inkasojë:
- 592 tabela me nga 1m2 = 59.200 euro
- 280 tabela me nga 2m2 = 56.000 euro
- 50 tabela me nga 6m2= 60.000 euro
Gjithsej të hyra për një vit 175.200 euro! Kurse si të hyra buxhetore nga kjo kategori ekonomike në raportin e buxhetit të vitit 2014 figuron shuma 50.000 euro. Pra 125.200 euro më pak!
Lëvizja Vetëvendosje! ka bërë kërkesë pothuajse dy muaj në Drejtorinë e Administratës dhe Shërbimeve Publike për tu njoftuar me numrin e reklamave që janë asete publike të Komunës.
Mirëpo deri më tani nuk na është dhënë asnjë informacion. Ne dyshojmë se ky dokument nuk na jipet për arsye se zyrtaret e Komunës së Prizrenit të cilët njëherësh janë edhe zyrtarë të PDK-së, kanë marrëveshje me kompaninë SFINGA për tia siguruar monopolin reklamues kësaj kompanie në këmbim të favoreve gatë fushatave zgjedhore.
SFINGA është produkt i firmës LIMIT në Prizren dhe në certifikatat bisnesore kanë adresë të përbashkët. Firma Limit në donacionet të partive politike të publikuara nga KQZ-ja, është në top listën e donatorëve të PDK-së.
Andaj, Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren i bënë thirrje organeve të drejtësisë dhe në veçanti departamentit për krime të rënda ekonomike që ta hulumtojnë rastin dhe të merren me keqpërdorimet e pronës dhe parasë publike.