03 Maj 2024

Dalja e Greqisë nga euro, pasoja të rënda për Shqipërinë

Tiranë, 15 maj - Mediat në të gjithë botën kanë dhënë një listë me skenarë se si mund të ndodhë që Greqia të dalë nga eurozona, si dhe pasojat e saj. 

Dalja e Greqisë nga eurozona është ende një ngjarje që mund të shmanget dhe e pasigurt, megjithatë shtetarët dhe bankierët po bëjnë llogaritë e veta.

Greqia është partneri më i rëndësishëm ekonomik dhe tregtar i Shqipërisë. Megjithëse nuk ka as statistika dhe as studime të mirëfillta, pranohet gjerësisht se shumica e shqiptarëve emigrantë jetojnë në Greqi dhe shumica e remitancave që vijnë në Shqipëri janë pikërisht nga këta emigrantë.

Emigrantët shqiptarë vlerësohet se kanë miliarda euro kursime në formën e depozitave në banka, nga të cilat një pjesë i kanë transferuar në atdhe, ndërsa sasi të konsiderueshme parash të paguara në formën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore pritet të përgjysmohen në vlerë në rast se Greqia del nga eurozona.

Zona jugore e Shqipërisë, e cila gjatë dy dekadave të fundit ka qenë dukshëm më e pasur se sa pjesa veriore, rrezikon të vuajë më shumë. 

Duke qenë se një qeveri nuk mund të funksionojë pa monedhë, dalja nga euro bëhet gjithashtu e pashmangshme. Ekziston një aludim që thotë se BE-FMN mund të vendosin të kufizojnë sasinë e ndihmës me minimumin e nevojshëm që shtetit grek i duhet për të funksionuar. Në të dyja rastet gjasat janë që Greqia të zhytet edhe më tej në recesion, gjë që e bën daljen nga euro edhe më të pashmangshme.
 
Fqinji jugor i Shqipërisë pritet të përballet me rënie të konsumit në masën 30 për qind në muajt e parë pas daljes nga eurozona, ndërsa në fund të procesit, Greqia pritet të humbasë një pjesë të konsiderueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe në fund, klasifikimi i këtij vendi si “vend i pasur” mund të rrëzohet për ta futur në listën e vendeve me “të ardhura të mesme”.

Me dhjetëra mijëra shqiptarë që kanë ende depozita në bankat greke do të shohin se si vlera reale e depozitave të tyre do të përgjysmohet. Duke qenë se një pjesë e mirë e emigrimit shqiptar në Greqi është informal dhe kursimet mbahen poshtë jastëkut, kjo pjesë e eurove do të shpëtojë nga zhvlerësimi.

Ndërkohë, analistët besojnë se qeveria e Greqisë mund të tentojë të bllokojë daljen e eurove nga Greqia pa i vulosur më parë, gjë që mund të krijojë premisat për kontrabandë valute nga Greqia në drejtim të vendeve të tjera.

Për shkak se nga mirëqenia e Greqisë varet edhe nga një pjesë e madhe e mirëqenies së Shqipërisë, vendi ynë rrezikon të zhytet në një recesion me përmasa të konsiderueshme. Tharja e remitancave nga Greqia, bllokimi i tregtisë me fqinjin tonë jugor, zhvlerësimi i pensioneve të minoritarëve, bllokimi i eksporteve të pakta dhe vendeve të punës në Shqipëri që lidhen me këto eksporte do të mjaftojnë të zhysin vendin tonë në krizë ekonomike.

Një krizë e tillë rrezikon para së gjithash të ardhurat në buxhetin e shtetit e më pas, rritjen e borxhit publik të vendit tonë. Megjithatë, ekzistenca e lekut si monedhë e pavarur mund të ndihmojë në zbutjen e pasojave.

Në rast se Greqia del nga euro, kriza nuk do të zgjasë pa fund. Në çastin që monedha e re do të jetë në qarkullim, pushimet në Greqi do të jenë dy herë më të lira për turistët perëndimorë nga sa janë aktualisht. Pagat e grekëve do të jenë shumë më të ulëta nga sot, por gjithsesi grekët (dhe emigrantët shqiptarë atje) do të vijojnë të punojnë dhe mungesa e punësimit nuk do të jetë më një problem.

Ndërkohë, ndikimi politik dhe ekonomik i Greqisë në Ballkanin Perëndimor do të tkurret ndjeshëm. Greqia do të jetë në varësi të eurove të Brukselit për të mbajtur stabël monedhën e vet të re, ndërsa zyra e përfaqësuesit të përhershëm të FMN-së në Athinë do të fillojë të hartojë politikat monetare e fiskale, pak a shumë njësoj siç bëri në Shqipëri për shumë vite

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)