18 Nëntor 2024

Dalin pensionet me rritje

Prishtinë, 26 prill - Premtimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për rritje të pensioneve për kategoritë e dala nga lufta dhe për pensionistët e Kosovës, është bërë realitet të premten.

Të gjitha këto kategori i kanë marrë pensionet me ngritje prej 25-përqindësh.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se të gjitha premtimet që i ka dhënë kryeministri Thaçi, për ngritje të pensioneve për familjet e dëshmorëve, janë bërë realitet të premten.

Sipas tij, nuk ka pasur kurrfarë vonesash dhe familjet e dëshmorëve presin të kenë më shumë beneficione të tjera. “Tani një pension i familjeve të dëshmorëve është me rritje prej 450 eurosh për ata që kanë vetëm një dëshmor. Kjo bën që familjari i një dëshmori të mos jetë më rast social. Presim që në të ardhmen të ketë prapë rritje”, ka thënë ai.

Sipas tij, rritja që është bërë tani është e katërta që nga viti 2008. “Kryeministri ynë ka premtuar se prapë do të kemi rritje të pensioneve”, ka deklaruar ai.

Edhe kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj, ka konfirmuar se për të gjithë invalidët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pensionet kanë dalë me rritje. Sipas tij, premtimi i kryeministrit Thaçi është bërë realitet. “Sot të gjithë invalidët e UÇK-së i kanë marrë pensionet me rritje. Pensioni më i ulët për shkallën e invaliditetit të ushtarit të UÇK-së është rreth 220 euro, kurse më i larti 700 euro”, ka bërë me dije ai.

Ndërsa sekretari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës (LPK), Hasan Berisha, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ngritjen e pensioneve është mirëpritur nga pensionistët.

“Pensionistët kontributpagues i kanë marrë 140 euro pension ditën e enjte. Doli e vërtetë se ngritja ka qenë 28 euro e jo siç thoshin sindikatat 13 euro”, ka thënë ai. Berisha ka deklaruar se çdo shtim i pensionit dhe të ardhurave e lehtëson në njëfarë mase jetën.

Mirëpo, sipas tij, në të njëjtën kohë shtohen shpenzimet dhe çmimet. “Po mundohemi edhe ne si kategori e pensionistëve ta kemi një jetë të standardit mesatar. Me këtë rritje edhe për pensionistët është bërë një hap përpara, por nuk është bërë një zgjedhje definitive”, ka thënë ai.

Albulena S. MAVRAJ
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)