Çrregullimet ekonomike nga virusi po reflektohen në të gjithë bizneset
Prishtinë, 16 mars - Si përfaqësuese e 110 bizneseve anëtare nga sektorë të ndryshëm ekonomik, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, ka adresuar propozime te Qeveria e Republikës së Kosovës lidhur me situatën e krijuar në vend, si pasojë e Covid-19.
Bizneset e OEGJK-së kanë të punësuar mbi 14,000 punëtorë dhe 40% e këtyre bizneseve kanë kapital gjerman, ndërsa pjesa tjetër eksportojnë për në Gjermani, apo përfaqësojnë një brend gjerman në tregun e Kosovës.
Për të vlerësuar ndikimin e mundshëm të koronavirusit në ekonomi, OEGJK e vlerëson si shumë të rëndësishëm fokusimin jo vetëm në profilin epidemiologjik të virusit, por edhe në mënyrat se si qytetarët, bizneset dhe qeveritë mund t`i përgjigjen gjendjes së krijuar.
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare tashmë ka propozuar masat që i sheh si të nevojshme për menaxhimin sa më efikas të rreziqeve që i kanosen ekonomisë së vendit. Masat të cilat OEGJK i mirëpret dhe ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës përfshijnë:
Shtyerjen e afatit për pagesën e kredive për një afat deri në tre muaj.
Fillimisht për bizneset dhe punëtoret e prekur (pjesa më e madhe e sektorit privat). Kjo të bëhet siç edhe është propozuar-në baza individuale bankë-klient dhe të mos aplikohen kamata për vonesa.
Krijimin e lehtësirave për import të mallrave.
Shtyerjen e afatit për raportim financiar deri më 30 Qershor.
Furnizimin e kompanive prodhuese me material sanitar, si dhe maska e doreza.
Shtyerjen e pagesës për shërbimet publike.
Blerjen e licencave të platformës Zoom, për të gjitha institucionet publike e private arsimore (si mundësi për mësimdhënie dhe mësimnxënie nga distanca).
Krijimin e një kampanje vetëdijësuese për qytetarët dhe bizneset në televizionet publike, në mënyrë që të minimizohet paniku.
Krijmin e masave mbështetëse financiare për kompanitë, për të mbuluar një pjesë të pagave (minimumin e shportës së konsumit).
Çrregullimet ekonomike të shkaktuara nga virusi dhe rritja e pasigurisë te qytetarët, po reflektohen në të gjithë sektorët ekonomik.
Meqënëse efekti i saktë i rrezikut nga ky virus është akoma i pamatshëm, OEGJK ka konsideruar si të domosdoshme që legjislativi dhe ekzekutivi i vendit tonë të ndërmarrin një numër hapash për të adresuar dhe menaxhuar pasojat ekonomike nga virusi.
Drejtoresha Menaxhuese e OEGJK-së, znj. Nora Hasani, theksoi se masat e propozuara të Qeverisë do të kenë efekt pozitiv në mbarëvajtjen e punës së bizneseve, mirëpo është e domosdoshme edhe ndërmarrja e masave tjera të propozuara nga OEGJK.
Masat e prezantuara si propozime për implementim nga Qeveria, deri tani janë shtyerja e afatit për deklarimin e obligimeve tatimore dhe raportimeve financiare të bizneseve dhe organizatave të tjera, sipas legjislacionit në fuqi deri më datën 30 prill 2020.
Po ashtu edhe plani operativ nga Banka Qendrore e Kosovës në konsultim me bankat, për funksionimin e rregullt të sistemit financiar për të përballuar situatën në të cilën gjendemi, duke përfshirë në veçanti prolongimin e obligimeve kreditore të klientëve të tyre deri më datën 30 prill dhe rishqyrtimin e riprogramimit të tyre.
Si dhe zgjatja e afatit të pagesave për të gjitha shërbimet publike, përfshirë ujin, energjinë elektrike ngrohjen dhe mbledhjen e mbeturinave.
Mbesim në pritje të sqarimeve shtesë lidhur me atë se cilat biznese duhet të mbyllen, transportin, dhe lejen për pushim nga puna për njërin prind.