Çohu: Shtatë deputetë e fshehin pasurinë e tyre
Prishtinë, 6 dhjetor - Shtatë deputetë të kuvendit të Kosovës, prej tyre tre nga LDK-ja dhe dy nga PDK-ja kanë bërë fshehje të pasurisë së tyre, duke bërë shkelje të ligjit. Kështu thanë zyrtarë të Organizatës për Demokraci, Kundërkorrupsion dhe Dinjitet - Çohu, të cilët në bashkëpunim me qendrën kosovare për gazetari hulumtuese kanë filluar një projekt për verifikimin e pasurisë së zyrtarëve publik.
Shtatë deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk e kanë deklaruar saktë pasurinë e tyre, duke bërë shkelje të ligjin të cilin e kanë miratuar vet.
Shaip Muja dhe Sala Berisha Shala nga PDK-ja, Hashim Deshishku, Teuta Sahatqia dhe Nazane Breca nga LDK-ja, si dhe Agim Kuleta nga Lëvizja për Bashkim dhe Vesimir Saviq nga JSL, nuk i kanë deklaruar kompanitë që janë në pronësi të tyre.
Informacioni u bë publik sot nga Organizata ÇOHU, ku sipas zyrtarit të saj, Lorik Bajrami, shkelja e ligjit nga ligjvënësit përcjell mesazh të keq edhe tek zyrtarët tjerë:
Kur deputetët e Kuvendit, si përfaqësues të qytetarëve të vendit e shkelin ligjin, atëherë e kanë përçuar një mesazh të keq tek zyrtarët e tjerë që shkelja e ligjit nuk do të thotë ndonjë pasojë e madhe për ta.
Këshilltari ligjor në organizatën Çohu, Arton Demhasaj, tha se shkeljet e deputetëve kanë të bëjnë me nenin 13, pika 1 të Ligjit për deklarim të pasurisë, i cili nuk parasheh sanksione.
Megjithatë ai thekson se sipas nenit 341 të Kodit Penal të Kosovës, nëse në një dokument zyrtar, siç konsiderohet ai për deklarim të pasurisë, paraqiten të dhëna jo të sakta, ose nuk paraqiten të dhëna thelbore, atëherë kjo përbën një vepër penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, e cila mund të dënohet nga tre muaj e deri në pesë vjet burgim.
Zyrtari i Organizatës Çohu, paralajmëroi se do të bëjnë hetim të deklarimit të pasurisë edhe të rreth 1 mijë e 800 zyrtarëve tjerë, rezultatet e të cilit do ti publikojnë brenda dy muajsh.