06 Nëntor 2024

Çohu publikon platformën online të deklarimit të pasurisë

Prishtinë, 9 nëntor - Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu! ka prezantuar sot platformën online “Deklarimi i pasurisë”.

“Deklarimi i pasurisë” është mjet online i cili funksionon në kuadër të “Open Data and Statistical Visualization” dhe ka për qëllim që të ofrojë përdorim të hapur dhe lehtë të qasshëm për hulumtues, gazetarë, pjesëtarë të shoqërisë civile, qytetarë si dhe të interesuar të tjerë mbi procesin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve publik në Kosovë. Të dhënat e publikuara japin një përfytyrim të problematikave që e përcjellin këtë proces, parë nga dimensionet e luftës kundër korrupsionit.

Në këtë databazë është përshirë analizimi i regjistrave të pasurisë për 71 zyrtarë publik të cilët kanë ushtruar apo vazhdojnë të ushtrojnë funksione publike nga viti 2010. Për konsideratë janë marrë individë me ndikim të madh në sferën institucionale dhe publike, kryetarë të partive, deputetë të disa legjislaturave me radhë, drejtorë prokurimi në dikasterët qeveritar që kanë pasur buxhet më të lartë, drejtorë ekzekutiv në kompanitë publike dhe kryetarë komunash.

Problemet e gjetura në regjistrat e pasurisë janë klasifikuar në 21 problematika që lidhen me pasurinë e paluajtshme, pasurinë e luajtshme, të hyrat, paratë e gatshme si dhe paraqitja e bizneseve apo aksioneve.

Të dhënat e vizuelizuara janë të ndara në pesë kategoritë kryesore të regjistrave të deklarimit, ku për secilën kategori janë paraqitur problematikat e gjetura me rastet individuale për çdo zyrtar. Për secilën problematikë tregohet numri i rasteve të gjetura dhe përshkrimi për secilin rast së bashku me regjistrat e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve. Gjithashtu në platformën online është edhe lista e të gjithë zyrtarëve të shqyrtuar ku për secilin nga ta janë të përmbledhura detaje nga regjistrat dhe të gjeturat e hulumtimit.

Qëllimi kryesor i procesit të deklarimit të pasurisë është të identifikohen rastet e krijimit të pasurive të jashtëligjshme nga zyrtarët e lartë publikë. Problematikat e identifikuara dhe paraqitja jo e saktë e të dhënave pamundëson vërtetësinë e krijimit të pasurive të reja.

Ky fenomen nuk ka asnjë shpjegim tjetër përveçse në tri rrafshe:

a) Ose zyrtarët e lartë publikë të obliguar për të deklaruar pasurinë, nuk janë duke e bërë mirëfilli këtë obligim ligjor me shkas për të fshehur pasurinë e tyre të cilën mund ta kenë krijuar në mënyrë të paligjshme;

b) Ose zyrtarët gabojnë me rastin e paraqitjes së të dhënave të tyre dhe AKK-ja nuk merret me verifikimin e saktësisë së të dhënave;

c) Ose AKK-ja vërtetë ka shumë mangësi në ushtrimin e funksionit të saj dhe paqartësi në mandatin e saj, si nga aspekti i mungesës së kuadrove profesional që janë të thirrur për të vërejtur këto mangësi, ashtu edhe në aspektin e ushtrimit të kompetencave ligjore të cilat mund edhe të mos jenë të mjaftueshme.

Kjo platformë është mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)

Platformën mund ta gjeni këtu: http://opendata.cohu.org/deklarimi-i-pasurise/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)