Çmimet në muajin korrik u rritën për 0,1%
Prishtinë, 14 gusht - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) për muajin korrik 2014.
Indeksi i tërësishëm i Çmimeve të Konsumit në Kosovë është më i lartë për 0,1% në muajin korrik 2014, krahasuar me muajin qershor 2014. Shkalla e inflacionit e matur në muajin korrik 2014 me muajin korrik 2013 ishte 0,8%.
Indeksi i Çmimeve të Konsumit për korrik 2014 krahasuar me qershor 2014 është më i lartë për 0,1%. Ngritje e Indeksit të Çmimeve të Konsumit vërehet te nëngrupet: rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera për 3,1%. Brenda këtij nëngrupi çmimi i rrymës elektrike shënoi një ngritje prej 4.57% gjegjësisht 5.3% me TVSH. Pemët 2,0%, përdorimi i pajisjeve për transportin personal (nafta dhe benzina) për 0,6% me një ndikim të përbashkët prej 0,4% në IÇK.
Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e Indeksit të Çmimeve të Konsumit te nëngrupi i perimeve për -5,4% me një ndikim prej -0,3% në IÇK.
Indeksi i Çmimeve të Konsumit është më i lartë për 0,8% në muajin korrik 2014 krahasuar me muajin korrik 2013. Ngritje e Indeksit të Çmimeve të Konsumit në këtë periudhë është vërejtur te nëngrupet: mishi 2,7%, qumështi, djathi dhe vezët 1,2%, duhani 7,2%, veshja 2,9%, këpucët 4,7%, rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera për 6,8%.
Brenda këtij nëngrupi çmimi i rrymës elektrike shënoi një ngritje prej 4,57% gjegjësisht 5,3% me TVSH, orenditë dhe aparaturat, qilimat dhe shtrojat tjera për dysheme 1,7%, shërbimet hoteliere 3,2% me një ndikim të përbashkët prej 1,3% në IÇK.
Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e Indeksit të Çmimeve të Konsumit te nëngrupet: buka dhe drithërat -1,8%, vajrat dhe yndyrat -9,4%, sheqeri dhe ëmbëlsirat -4,8%, përdorimi i pajisjeve për transportin personal (nafta dhe benzina) për -1,3% , me një ndikim të përbashkët prej -0,5% në IÇK.