20 Nëntor 2024

Çmimet e larta, varfërojnë shportën e konsumatorit

Prishtinë, 6 korrik - Çmimet e larta të konsumit në Kosovë po varfërojnë edhe më tej shportën e konsumatorit. Qytetarët thonë se ngritja e çmimeve po i dëmton në masë të madhe, pasi pagat mbesin të pandryshuara. Këtë situatë e bën më të rëndë fakti se shkalla e papunësisë është shumë e lartë, thonë nga organizata “Konsumatori”.

Ngritja e çmimeve vazhdon të rëndojë edhe më tej jetën e popullatës, edhe ashtu të varfër në Kosovë. Disa qytetarë thonë se kjo dukuri, po i dëmton në masë të madhe, pasi pagat e tyre nuk ndryshojnë në proporcion me çmimet. Njëri prej tyre, Lulzim Ahmeti nga Prishtina, thotë se kjo situatë nuk është aspak në favor të konsumatorëve.

“Rritja e vazhdueshme e çmimeve që po ndodh në vendin tonë na vështirëson jetën dhe kryerjen e obligimeve që kemi ne si konsumatorë ndaj familjeve tona. Inflacioni po bën që ne si konsumatorë në shportën tonë mujore të kemi gjithnjë e më pak produkte me paratë e njëjta”, tha ai.

Një tjetër qytetare, Albulena Mavraj thotë se çmimet në Kosovë janë shumë të larta, krahasuar me mesataren e pagave.

“Inflacioni ndikon drejtpërdrejt në shportën e konsumit të konsumatorëve, po ashtu edhe në gjendjen ekonomike e sociale të tyre duke marrë parasysh se Kosova është një vend i pazhvilluar ekonomikisht”, theksoi ajo.

Kryetari i Organizatës Konsumatori, Selatin Kaçaniku, thotë se inflacioni është duke ndikuar në shtrenjtimin e jetës së qytetarëve dhe uljen e mirëqenies së tyre.

“Qytetari i varfër do të thotë kosovari i varfër dhe jo varfëri kryesisht ndikohet nga mospasja e një strategjie të zhvillimit ekonomik dhe në fund reflektohet edhe në shkallë të lartë të inflacionit”, tha Kaçaniku për Radio Kosovën.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Shpend Baliu thotë se inflacioni thellon varfërinë në Kosovë dhe krijon probleme edhe më të mëdha sociale.

“Kjo është një sfidë në vazhdimësi për Kosovën, duke ditur se niveli i papunësisë është ende tejet i lartë dhe presionet inflacioniste krijojnë probleme të mëdha për shtresën e mesme dhe të varfër”, theksoi ai për Radio Kosovën.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, indeksi i tërësishëm i Çmimeve të Konsumit në Kosovë në vitin 2011 ishte rritur për 7.3 për qind, kurse gjatë vitit 2012 është rritur për 2.5 për qind krahasuar me vitin 2011. Një nivel i ngjashëm i inflacionit parashihet edhe për këtë vit.

(rtk)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)