Çmimet e Kostos së Ndërtimit të njejta
Prishtinë, 20 mars - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e katërt 2014. Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit (IKN) në Kosovë është i pandryshuar në tremujorin e katërt të vitit 2014, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2014.
Mirëpo, përkundër mosndryshimit të Indeksit të tërësishëm të Kostos së Ndërtimit (IKN) në Kosovë u vërejtën ngritje të çmimeve të kategorive, si: energjia 14.1% (ngritja e çmimeve të energjisë dhe aplikimi i tarifave dimërore) me një ndikim prej 0.2 për qind; makineria 1.4%, me një ndikim prej 0.1 për qind; dhe, pagat për 0.2% pa ndonjë ndikim në IKN.
Ngritja e çmimeve u neutralizua me rënien e çmimeve të materialeve ndërtimore për (-0.5%) me një ndikim prej (-0.3) për qind në IKN.
Ndërkaq, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2013), IKN-ja po ashtu është e pandryshuar. Mirëpo, përkundër mosndryshimit të Indeksit të tërësishëm të Kostos së Ndërtimit (IKN) në Kosovë u vërejtën ndryshime të çmimeve te disa kategori: energjia 11.9%, me një ndikim prej 0.2 për qind; makineria 4.6%, me një ndikim prej 0.3 për qind; pagat për 0.2%; dhe, kostot e tjera për 0.1%, pa ndonjë ndikim në IKN.
Ngritja e çmimeve u neutralizue me rënien e çmimeve të materialeve ndërtimore për (-0.6%), me një ndikim prej (-0.4%) në IKN.