Çmimet e konsumit në janar ishin 7 për qind me të larta
Prishtinë, 21 janar - Çmimet e konsumit në muajin janar të këtij viti kanë qenë për 7% më të larta se në janarin e vitit të kaluar. Më së shumti ngritje kanë shënuar buka dhe vajrat.
Në publikimin më të fundit të Entit të Statistikave të Kosovës, vërtetohet inflacioni i lartë i shënuar vitin e kaluar.
Nga artikujt kryesorë ushqimorë, nga janari i vitit të kaluar deri në janarin e këtij viti, buka është shtrenjtuar me 33% si dhe vajrat e yndyrat me 40%. Në përgjithësi, brenda 12 muajsh, inflacioni ka arritë shkallën 7.4%, tregon zyrtarja për informim e ESK, Safete Selmani.
Çmimet e konsumit në Kosovë kanë pasur ngritje. Inflacioni nga janari i vitit 2010 deri në janarin e vitit 2011 është 7.4%., thotë Selmani.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini shprehet se në ngritjen e çmimeve, përveç ndikimeve globale, ka ndikuar edhe rritja e kërkesës.
Rritja e çmimeve është si pasojë e rritjes së konsumit të përgjithshëm, si pasojë e ngritjes së çmimeve në bursë, e të reshurave në vendet që kanë prodhim të madh, theksoi Shahini.
Mirëpo, eksperti i ekonomisë, Nagip Skenderi, inflacionin e shënuar nuk e ndërlidhë me shtimin e kërkesës.
Në rastin e Kosovës nuk është inflacion nga kërkesa. Mirëpo, lëkundjet në tregun global, në këtë rast i naftës, mandej çmimet e transportit etj., kanë ndikuar që të importohet një inflacion i tillë me ngritje të çmimeve, thotë Skenderi.
Sa i përket krahasimit me dhjetorin e vitit të kaluar, çmimet në muajin janar të këtij viti janë ngritë për 1.4%. Buka është shtrenjtuar për afro 4%, sheqeri, vajrat dhe yndyrat afro 3%, perimet 7%, etj.
/RTK/