CM Production me investime milionëshe në Kosovë
Prishtinë, 9 shkurt - Sot në ambientet e hotelit Emerald në Prishtinë u mbajt prezantimi i kompanisë vendore CM Production me pronar Ardian Gashin nga Lipjani, me vendbanim në Gjermani.
Prezantimi u mbajt në prezencë të përfaqësuesve të Doganave të Kosovës, Bajram Rexha, drejtor i Drejtorisë së Akcizës dhe Procedurave dhe Agron Sadiku, Drejtor i Shërbimeve të Përbashkëta, Zëvendës Ambasadorit gjerman pranë Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Jan-Axel Voss dhe përfaqësuesit të GIZ-it gjerman në Kosovë, Wolfgang Leidig, Këshilltar i Sektorit të Implementimit të Projekteve.
Fillimisht, pronari i kompanisë Ardian Gashi, informoi për qëllimin e kompanisë e cila synon prodhimin e produkteve dhe konstruksioneve të ndryshme të metalit në Kosovë për sektorin automobilistik dhe atë të anijeve, për të cilat në tregun ndërkombëtar ekziston treg i sigurt për shitjen e këtyre produkteve.
Kompania synon që të fillojë punën së shpejti në Parkun e Inovacionit dhe të Trajnimeve në Prizren (ish bazën e KFOR-it gjerman), duke qenë kështu kompania e parë që vendoset dhe fillon punën në këtë park dhe e cila për momentin është në finalizimin e infrastrukturës administrative me organet e doganave të Kosovës, me ç’rast nga përfaqësuesit e Doganave të Kosovës, mori informatat e nevojshme dhe zotimin për kryerjen e procedurave të nevojshme për fillimin e këtij projekti dobiprurës për gjithë Kosovën.
Përmes investimeve të përbashkëta, përmes pronarit të kompanisë CM Production, Ardian Gashi, pastaj edhe investitorëve gjerman, Detlef Herking, drejtor i kompanisë së mirënjohur gjermane Wenker, e njohur në sektorin e prodhimtarisë metalike si dhe Franz Leers, pronar i kompanisë me të njëjtin emër, në mes të të cilëve ekziston një marrëveshje bashkëpunimi, synohen investime deri në rreth 2 milion Euro brenda vitit të parë dhe me punësimin e 28 puntorëve me rastin e fillimit të punimeve si dhe me rritjen e numrit të të punësuarve në vazhdimësi, deri në 60 sosh deri në fund të vitit.
Ajo që e bën edhe më joshëse punën e kësaj kompanie, përveç tregut të sigurt dhe kushteve të punës që do të ofrohen, vlen të përmendet edhe aspekti i trajnimit të puntorëve që do të bëhet në shtetin gjerman, kurse puntorët e njëjtë do ta bëjnë ekzekutimin e punimeve të kontraktuara nga kompania në puntorinë në Prizren, gjë për të cilën ekziston marrëveshja me Ambasadën Gjermane në Prishtinë për kryerjen e procedurave lehtësuese për dhënien e vizave për të gjithë të punësuarit e kësaj kompanie.
Në marrëveshje me GIZ-in gjerman kompania do të ofrojë poashtu mundësi për trajnimin e kuadrove të reja të interesuara për profilin e sektorit të metaleve, gjë të cilat e bëjnë këtë kompaninë CM Production si njërën nga kompanitë më inovative në vend, synimet e të cilës në planin afatmesëm janë edhe në zgjerimin e prodhimtarisë dhe shtimin e vazhdueshëm të numrit të të punësuarve, 100-150 sosh, qoftë në Kosovë apo madje edhe në tregun amerikan, të gjitha këto me një siguri maksimale dhe me marrëveshje me investitorë serioz në këtë sektor dhe jo vetëm.