02 Nëntor 2024

Çështjet e përmbarimit po trajtohen më lehtësisht si pasojë e pandemisë

Prishtinë, 6 maj - Efekti i pandemisë COVID-19 ka qenë i dukshëm edhe në çështjet e përmbarimit si në çdo veprimtari tjetër, ndërsa përmbaruesit në Kosovë i janë përgjigjur kësaj situate duke krijuar lehtësira të favorshme për debitorët.

Megjithatë, ankesa të ndryshme janë shfaqur nga individët, dhe trajtimi i të njëjtave do të bëhet në seanca me forma alternative pa kontakt fizik.

Këto u thanë mes tjerash gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Programin e USAID për Drejtësi Komerciale, ku u diskutua mbi trajtimin e çështjeve përmbarimore gjatë kohës së pandemisë COVID-19.

Feride Podvorica,  udhëheqëse e divizionit për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit në Ministrinë e Drejtësisë, tha se në një periudhë të tillë krize kur është rrezikuar zhvillimi i të gjitha veprimtarive, është e rëndësishme që të respektohen masat mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e pandemisë.

Podvorica shtoi se Unioni Ndërkombëtar i Përmbaruesve Gjyqësorë në të cilin Kosova ka rolin e anëtarit vëzhgues, përmes një dokumenti ka bërë thirrje që të kufizohen masat e përmbarimit, në mënyrë që sado pak të lehtësohen vështirësitë  financiare për qytetarët.

Ajo theksoi se duke u bazuar në këtë thirrje, edhe çështjet e përmbarimit në Kosovë janë trajtuar me lehtësime, duke konsideruar se kriteri kryesor në të cilin është bazuar unioni është nevoja për konsideratë njerëzore dhe morale përballë një situate të paprecedentë. 

Arben Gashi, kryetar në Odën e Përmbaruesve Privat të Kosovës, theksoi se institucioni që ai drejton ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Drejtësisë lidhur me vendimet e marra gjatë kësaj kohe.

 Gashi tha se janë rishikuar të gjitha veprimtaritë e përmbaruesve të cilat mund të vazhdojnë operimin pa rrezikuar shëndetin publik. 

Ai shtoi se në bashkëpunim me të gjitha organet përkatëse është marrë vendim që pagat dhe pensionet për muajin mars të mos debitohen për llogari të lëndëve përmbaruese.

Në përputhje me këtë vendim është kërkuar që llogaritë e bllokuara të qytetarëve të lirohen përkohësisht, duke lejuar tërheqje të pagave pa bërë zhbllokim të llogarive. Sipas tij, përmes këtij vendimi është synuar që të sigurohet mirëqenia qytetare gjatë kësaj periudhe të krizës.

Elbasan Dervishaj, kryetar i departamentit të profesioneve të lira në Ministrinë e Drejtësisë, u shpreh se ekziston gatishmëri e përmbaruesve për t’u përgjigjur në pyetjet dhe ankesat e qytetarëve mbi llogaritë e tyre apo edhe mbi noterinë dhe aktet noteriale, ku përmendi se përmbaruesit dhe  departamentet përkatëse i kanë mbajtur dyert e hapura për qytetarët të cilët kanë pasur kërkesa urgjente.

Dervishaj shtoi se deri më tani ankesat të cilat i kanë pranuar nuk kanë qenë nga bizneset por nga individët, 10 prej të cilave janë iniciuar në komision diciplinor dhe  tani janë në pritje të thirrjes së seancave të cilat përkundër vështirësive të shkaktuara nga pandemia do të mbahen në forma alternative, ku palët përkatëse mund të dëgjohen por jo edhe të rrezikohen me kontakt direkt fizik.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)