Çështja e "Grandit" pasi të kompletohet Bordi i AKP-së
Prishtinë, 19 maj - Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit, shqyrtoi Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) për vitin 2014.
Në takimin e sotëm ishin të pranishëm edhe anëtarët e përbërjes së re të Bordit të KPMM-së, të prirë nga Musa Shabani, kryesues i porsazgjedhur i tij.
Me këtë rast, drejtori i Bordit Shabani, u fokusua në objektivat që synon të arrijë KPMM-ja gjatë drejtimit të tij, si dhe sfidat të cilat aktualisht kanë.
Në vijim të paraqitjes së tij, drejtori Shabani tha se në funksion të zbatimit të Ligjit për miniera dhe minerale, KPMM-ja në fokus të angazhimeve të veta ka mënjanimin e operatorëve ilegalë. Lidhur me këtë, ai njoftoi për numrin e lëndëve të proceduara në gjykatë, gjobat e shqiptuara nga gjykatat, licencat e operatorëve për eksploatimin e resurseve minerare, rentat minerare dhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e KPMM-së.
Anëtarët e komisionit ndërkaq, paraqitën vërejtjet e tyre dhe rekomandimet rreth raportit. Ndër çështjet e ngritura me këtë rast, ishte mbrojtja e Shpellës së Gadimes, për të cilën nga përfqaësuesit e KPMM-së u kërkuan angazhim dhe rishikim i licencës, për operatorin i cili ushtron veprimtari minerare rreth kësaj shpelle.
Pas kësaj, Raporti u hodh në votim, ndërkaq, komisioni e miratoi atë së bashku me rekomandimet e dala gjatë debatit.
Në këtë mbledhje, Komisioni shqyrtoi edhe peticionin e punëtorëve të sindikatës së hotelit Grand, bazuar në përfundimin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e mbajtur më, 22.04.2015.
Për të debatuar rreth kësaj çështjeje, ishte i pranishëm edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues në AKP, Avni Jashari.
Lidhur me këtë ai tha se ndërmarrja Grand është në procesin e likuidimit, dhe të angazhuarit në të nuk e kanë statusin e të punësuarve, por të ofruesve të shërbimeve të përkohshme. Anëtarët e komisionit, ndërkaq, kërkuan që gjatë procesit të likuidimit të kësaj ndërmarrjeje, të mos pezullohen aktivitetet biznesore, por, të sigurohen paga për të punësuarit.
Gjatë debatit, po ashtu u konstatua se zgjedhja e çështjes së hotelit Grand dhe e punëtorëve të saj, do të ndodhë, pasi të kompletohet Bordi i AKP-së.