Certifikohen edhe rreth 200 të rinj në fushën e ndërmarrësisë
Prishtinë, 12 nëntor - Rreth 200 të rinj nga qytete të ndryshme të Kosovës u certifikuan sot për kryerjen e trajnimit në fushën e ndërmarrësisë, projekt të cilin e ka mbështetur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e që është implementuar nga Novus Consulting.
Trajnimi ka pasur për qëllim edukimin e të rinjve për ndërmarrësi, që kësisoj ata të jenë të gatshëm të marrin nisma të ndryshme për biznese të reja, e po ashtu edhe të kenë aftësinë se si ti menaxhojnë ato.
Ministri Memli Krasniqi i uroi të rinjtë për trajnim dhe vlerësoi se ky certifikim shënon edhe një hap të rëndësishëm në edukimin profesional të të rinjve dhe përmendi se MKRS-ja në bashkëpunim edhe me Bankën Botërore ka mbështetur trajnimin edhe të 800 të rinjve tjerë, gjysma në ndërmarrësi dhe gjysma në fusha profesionale.
Është një lajm tjetër i mirë për ju. Dje është hapur konkursi në Departamentin e Rinisë për mbështetjen e ndërmarrësve të rinj, dhe kjo vlen për të gjithë juve që keni kaluar fazën e trajnimeve në ndërmarrësi dhe ju inkurajoj që të aplikoni për grante në këtë konkurs. Mbështetja do të jetë nga 3000 deri në 4000 në aspekte të ndryshme biznesi, tha ministri Krasniqi.
Ai i porositi të rinjtë se certifikatat mos tu shërbejnë vetëm si pjesë simbolike e CV-së po vërtetë ti shfrytëzojnë në praktikë njohuritë që i kanë marrë.
Ministri po ashtu përmendi investimet dhe grantet që janë ndarë për rininë dhe për bizneset që kanë ata, për qendrat rinore në qytete të ndryshme në Kosovë, ku theksoi ndërtimin e dy qendrave të reja.
Do të ndërtojmë në Gjilan një qendër të re rinore dhe shpresojmë se edhe Komuna e Prishtinës të na gjejë një lokacion dhe do na japë leje për ndërtimin e një qendre të tillë në kryeqytet. Projektin dhe buxhetin e kemi të gatshme për këto dy qendra, veçoi ministri.
Ministri Krasniqi vlerësoi se rinia kurrë më herët nuk ka pasur më shumë fonde e projekte. Kësisoj është vënë në realizim puna dhe përkrahja për këtë burim dhe krenari të vendit tonë të cilën Qeveria e Kosovës e ka si prioritet nacional.
Të rinjtë pas pavarësimit të Kosovës kanë marrë rol shumë të rëndësishëm në institucione ku me përkushtimin e tyre synojnë të ndërtojnë shtet demokratik dhe të bëhen pjesë e familjes evropiane, theksoi ministri, ku përmendi edhe sfidat e përgjegjësitë që kemi si shoqëri. Ai tha se është shumë thelbësore që në çdo aspekt të respektojmë diversitetin politik, etnik apo fetar.