Çertifikohen 388 zyrtarë të prokurimit publik
Prishtinë, 16 shkurt - Në kuadër te trajnimeve që në vazhdimësi organizohen nga IKAP-i është edhe trajnimi për zyrtarët e prokurimit publik në Kosovë, i cili trajnim ka përfunduar dhe zyrtarët të cilët e kanë kaluar testin suksesshëm janë çertifikuar sot në një ceremoni simbolike në ndërtesën e re të Qeverisë të organizuar nga Ministria e Administratës Publike.
Ministri i MAP-së, Arsim Bajrami i ka përgëzuar zyrtarët e prokurimit të cilët me sukses kanë përfunduar këtë trajnim si dhe i ka uruar ata me rastin e dyvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e cila do të shënohet nesër anë e kënd vendit tonë.
Zyrtarët e pranishëm në këtë ceremoni i kanë përshëndetur dhe përgëzuar edhe kryeshefi i IKAP-it, Hysni Veseli dhe eksperti i Projektit për Mbështetje Reformave të Prokurimit në Kosovë, Anders Christiansen.
Për Testin Profesional për Prokurim Publik, të mbajtur nga IKAP-i më 23 Janar 2010, i cili është obligativ me Ligjin port Prokurim Publik, kanë aplikuar për të vijuar trajnimin 513 kandidatë, 489 prej të cilëve kanë fituar të drejtën për të hyrë në test. Testin me sukses e kanë kaluar 388 zyrtarë.
Lista e të certifikuarve është e publikuar në ueb faqen e Institutit të Administratës Publike të Kosovës dhe web faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Instituti i Kosovës për Administratë Publike (IKAP) është institucion qeveritar në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike, i themeluar për aftësimin e shërbyesve civil dhe rritjen e qëndrueshmërisë së shërbimit civil në Kosovë (SHCK) me qëllim zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve civile që ofron administrata publike në vend.
Misionin e vet IKAP-i e kryen përmes identifikimit të nevojave trajnuese në shërbimin civil, hartimit dhe zhvillimit të programeve trajnuese, koordinimit të projekteve të ndryshme për ngritjen e kapaciteteve në SHCK, përhapjes dhe shkëmbimit të njohurive të reja për administratën publike dhe kërkimeve profesionale për zhvillimet e reja të administratës publike.