CEO-të në Kosovë pesimistë për rritjen ekonomike për vitin e ardhshëm
Kjo është pikëpamje pesimiste në lidhje me rritjen ekonomike globale dhe përfaqëson një ndryshim të mprehtë nga viti i kaluar, kur 73% e drejtuesve të biznesit në vend parashikuan një përmirësim/rritje të ekonomisë globale.
Drejtuesit në Kosovë janë pak më pak pesimistë për rritjen ekonomike të vendit të tyre: 48% e tyre besojnë se rritja do të ngadalësohet. Ndërkaq, drejtorët ekzekutivë në Kosovë janë më të sigurtë për rritjen e kompanisë së tyre dhe po shohin për mundësi të tjera zhvillimi në vendet më të afërta gjeografikisht.
Pavarësisht pesimizmit të tyre për kushtet makroekonomike, CEO-t janë më të sigurtë kur bëhet fjalë për gjëra të cilat ata mund t'i kontrollojnë drejtpërdrejtë: CEO-t tanë janë më të sigurtë për perspektivat e rritjes së të ardhurave të kompanisë së tyre përgjatë 12 muajve të ardhshëm, nga ku 30% thonë se janë "jashtëzakonisht të sigurtë". Optimizmi i tyre është edhe më i madh kur e shikojmë në një horizont tre vjeçar – 28% e tyre thonë se janë të sigurt në rritjen e kompanisë së tyre.
Nuk është për t'u habitur që liderët botëror po shohin më afër vendit se kurrë më parë për mundësitë e zgjerimit jashtë vendit. Tronditja nga pandemia dhe trazirat e vazhdueshme gjeopolitike na lënë të kuptojmë se kompanitë në mbarë botën po kërkojnë mënyra për të afruar marrëdhëniet e tyre të biznesit - duke shkurtuar dhe forcuar kështu zinxhirët e tyre të furnizimit. Kompanitë kosovare nuk janë ndryshe, edhe tek CEO-t kosovarë vihet re ky trend.
Në anketen e këtij viti, Shqipëria është ende një nga vendet kryesore që konsiderohet e rëndësishme për rritje për 43% të CEO-ve kosovarë. Vihet re një rritje e përqendrimit në Gjermani (43%). Brenda rajonit, udhëheqësit e biznesit treguan interes për Maqedoninë e Veriut (33%) dhe Serbinë (8%)– duke reflektuar sërish trendin e interesit për vendet më afër gjeografikisht.
Inflacioni, paqëndrueshmëria makroekonomike dhe konflikti gjeopolitik kryesojnë shqetësimet e CEO-ve
Rënia ekonomike ka një ndikim të madh mbi CEO-të këtë vit, inflacioni (30%), konflikti gjeopolitik (28%) dhe paqëndrueshmëria makroekonomike (23%) udhëheqin rreziqet të cilat rëndojnë mbi CEO-të në periudhën afatshkurtër - 12 muajt e ardhshëm. Në kontrast me CEO-t në rajon dhe në botë, CEO-t në Kosovë e konsiderojnë rrezikun kibernetik si një nga shqetësimet e tyre kryesore (28%).
Megjithatë, drejtuesit e perceptojnë inflacionin si një kërcënim relativisht kalimtar: ndikimi i tij për pesë vitet e ardhshme bie në 23%. Paqëndrueshmëria makroekonomike gjithashtu ulet në 25%. Gjithashtu rreziku kibernetik zvogëlohet në 25%. Ndërkohë rreziku gjeopolitik nuk pëson asnjë ndryshim.
Drejtorët ekzekutivë po diversifikojnë produktet dhe shërbimet e tyre – por shumica nuk planifikojnë të reduktojnë numrin e punonjësve
Në përgjigje ndaj sfidave ekonomike afatshkurtëra, CEO-t në Kosovë janë në përputhje me kolegët globalë përsa i përket vendimeve të cilat nxisin rritjen e të ardhurave dhe ulin kostot. Një veprim bie në sy: 40% e CEO-ve në vendin tonë thonë se tashmë kanë provuar të diversifikojnë produktet dhe shërbimet e tyre – një mjet që deri më tani 48% e kolegëve të tyre globalë e kanë përdorur.
Si në Kosovë ashtu edhe në nivelin global, tronditja nga “Dorëheqja e Madhe” si dhe nevoja e vazhdueshme për të tërhequr dhe mbajtur talentet po formësojnë përgjigjen ndaj sfidave makroekonomike. Si pasojë 38% e kompanive kanë rritur tashmë çmimet e tyre dhe 23% janë përpjekur të ulin kostot operacionale, 10% po zbatojnë ngrirjen e punësimeve, vetëm 5% kanë ngadalësuar investimet, vetëm 2% po zvogëlojnë numrin e punëtorëve dhe 2% po ulin kompensimin.
Nevoja urgjente për transformim
Përveç një mjedisi sfidues, gati 46% e CEO-ve në Kosovë mendojnë se organizatat e tyre nuk do të jenë ekonomikisht të qëndrueshme në një dekadë nëse vazhdojnë në rrugën e tyre aktuale. Drejtuesit e shohin nevojën për ndryshim dhe po mendojnë gjithashtu për hapat që duhen ndjekur për të arritur atje. Kjo është një shenjë optimiste pasi CEO-t po gjejnë mënyra për të shfrytëzuar krizën aktuale për përfitimin afatgjatë të kompanive të tyre.
Një ndër kërcënimet kryesore ndaj bizneseve të CEO-ve në vendin tonë, është mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar – kjo është pjesë e luftës së vazhdueshme globale për talentet dhe është evidente në sondazhet e CEO-ve prej disa vitesh tashmë.
Ndër rreziqet e tjera përfshihen ndryshimin e kërkesave të klientëve (në Kosovë: 45%, globalisht: 56%) dhe ndryshimet në teknologji, p.sh. teknologjia e avancuar, AI, metaverse, blockchain (në Kosovë: 37%, globalisht: 49%).
Për t'iu përgjigjur në mënyrë efektive këtyre sfidave, CEO-t po përpiqen të jenë më të qëndrueshëm sot. Investimet që po orientohen kundrejt teknologjisë janë të mëdha për shumë CEO globalë gjithashtu dhe kosovarë. Në territorin tonë, drejtuesit e bizneseve po planifikojnë të investojnë më shumë në automatizim, duke përdorur teknologji (cloud, AI, etj.) në 12 muajt e ardhshëm.
Pavarësia energjetike është një prioritet në rritje për liderët në rajonin tonë
Drejtorët ekzekutivë janë gjithashtu në kërkim të burimeve të reja të energjisë, pasi pushtimi rus i Ukrainës ishte një thirrje zgjimi për shumë vende të cilat vareshin shumë nga gazi rus.
Në anketën e këtij viti, 35% e CEO-ve në Kosovë thanë se kalimi në burime të reja energjitike do të ndikojë në biznesin e tyre në 10 vitet e ardhshme, në thelb pak më shumë se 37% e liderëve globalë e parashikojnë këtë efekt.
Dhe 25% e drejtuesve të bizneseve në Kosovë (globalisht: 34%) planifikojnë të investojnë në burime alternative të energjisë në 12 muajt e ardhshëm.
Kjo është një shenjë inkurajuese e cila gjithashtu do të rrisë aftësinë e kompanive për t'iu përgjigjur sfidave të cilat lidhen me ndryshimet klimatike.
Rreth të dhënave: PwC anketoi në nivel global 4,410 CEO në tetor dhe nëntor 2022. Në këtë grup ishin 40 CEO nga Kosova.