Çeku blen 720 mijë euro xhipa Mercedes
Prishtinë, 10 gusht - Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në të ardhmen do të qarkullojnë nëpër terrene malore me xhipa Mercedes Benz, pasi që Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) atyre u ka blerë tetë automjete taktike të standardizuara në vlerë prej rreth 720 mijë euro.
Çdo njëri prej tyre kushton rreth 90 mijë euro, përderisa fitues i këtij tenderi është shpallur kompania Auto Mita.
Zgjim Mita, përgjegjës për shitje te Auto Mita, ka konfirmuar të premten për Zëri se kompania e tyre është shpallur fituese e tenderit për furnizim me 8 vetura taktike dhe, siç thotë ai, nëse shkon gjithçka sipas planit nënshkrimi i kontratës do të ndodhë më 16 gusht
2013, përderisa sjellja e këtyre automjeteve në Kosovë pritet të ndodhë në dhjetor të këtij viti.
Ai sqaron se në çmimin prej rreth 720 mijë euro për furnizim me automjete taktike është i përfshirë edhe garancioni trevjeçar dhe mirëmbajtja e plotë e automjeteve.
Mita konfirmon se për zhvillimin e procesit të tenderimit me Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka qenë i informuar dhe me mbikëqyrje nga gjigandi gjerman i automobilave Daimler, gjë që, sipas tij, e dëshmon edhe korrektësinë për çmimin e ofruar në tender.
/Zëri/