Çdo i njëmbëdhjeti miliarder në botë jeton në Zvicër
Bernë, 8 dhjetor- 300 banorët më të pasur të Zvicrës më 2013-ën janë për rreth dhjetë për qind më të pasur se vitin e kaluar. Siç raporton magazina e biznesit "Bilanz", elita e të pasurve zviceranë ka një pasuri në total prej 564 miliardë frangash.
Për 25 vjet, raporton "Bilanz", për elitën financiare të Zvicrës asnjëherë nuk ka qenë më e madhe pasuria e tyre se tani. Nëse asetet e të pasurve shpërndahen në mesin e popullatës zvicerane, atëherë i bie nga 70.200 franga për secilin banor të Zvicrës.
Themeluesi i Ikeas, Ingvar Kamprad, për dymbëdhjetë vjet me radhë kryeson listën e më të pasurve zviceranë. Edhe pse tregtari i mobileve është tërhequr përsëri këtë vit në Suedi, familja e tij figuron në këtë renditje.
Tre djemtë e tij kanë një pasaportë zvicerane. Për Kamprad, 2013 ishte një vit i mirë. Pasuria e familjes është rritur me tre miliardë, në rreth 42 miliardë franga.
131 nga 300 njerëzit më të pasur në Zvicër kanë më shumë se një miliard franga. Çdo i njëmbëdhjeti miliarder në botë jeton në Zvicër. Pothuajse çdo i dyti vjen nga jashtë.