Cameron shkaktar i dështimit të marrëveshjes për buxhetin e BE
Një korrespondent i BBC-së informoi të premten se takimi zgjati më pak nga sa pritej, pasi mospërputhjet ishin të shumta dhe nuk kishte një mënyrë për të zgjidhur çështjen.
Presidenti i Këshillit Europian, Herman van Rompuy deklaroi se kishte besim që marrëveshja do të arrihej në fillimin e vitit të ardhshëm.
Pjesëmarrja e Britanisë së Madhe në këtë buxhet është shndërruar në një prej pikave më problematike, pasi Londra është shprehur skeptike për pjesëmarrjen në këtë marrëveshje.
Kryeministri Cameron, pati rekomanduar që edhe për buxhetin e ardhshëm të ruhen të njëjtat kuota shpenzimesh, por kjo ide nuk është shumë popullore mes liderave të tjerë.
Kryeministri britanik David Cameron, i cili mbështet ngrirjen e niveleve të shpenzimeve, tha se në takimin e nivelit të lartë nuk u bë përparim përsa i përket shkurtimit të shpenzimeve. Ai tha se diplomatët duhet të pakësojnë shpenzimet që nuk përballohen dot.
"Nuk mendoj se ka pasur përparim të mjaftueshëm deri tani. Nuk është koha për ndryshime të vogla dhe për të transferuar para nga njëra pjesë e buxhetit në tjetrën.. Ne kemi nevojë të shkurtojmë shpenzime që nuk i përballojmë dot."
Buxheti i tanishëm 2007-2013 është 1,28 trilion dollarë dhe buxheti i ri do të duhet të mbulojë shpenzimet deri në vitin 2020.
Buxheti shtatë vjeçar financion programe për të nxitur bujqësinë dhe zhvillimin në vendet më pak të zhvilluara dhe zë rreth 1 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të BE-së.
Zoti Cameron, i cili ndodhet nën presion të vazhdueshëm nga skeptikët brenda partisë së tij konservatore, është përkrahësi kryesor i propozimeve për kufizimin e shpenzimeve në Bashkimin Evropian. Atij i është bashkuar Hollanda, Suedia dhe, në një masë më të vogël, Gjermania.
Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, është për më shumë shpenzime, duke argumentuar se nismat ndërkufitare do të ndihmojnë rritjen ekonomike dhe shtimin e vendeve të punës.
Mospërputhje ka edhe midis vendeve të pasura, financueset kryesore të buxhetit dhe vendeve ekonomikisht më të pazhvilluara të bllokut, të cilat varen së tepërmi për investime nga investimet e BE-së.