Buxhetit i shtohen mbi 5 milionë euro
Albulena S. MAVRAJ
Prishtinë, 22 shtator - Buxhetit të Kosovës do ti shtohen mbi 5 milionë euro të grumbulluara nga akciza gjatë tetëmujorit të parë të këtij viti. Sipas Doganës së Kosovës, gjatë këtij viti janë mbledhur akciza në vlerë prej 187.3 milionë eurosh që, nëse krahasohet me vitin e kaluar, paraqet rritje prej 5.4 milionë eurosh.
Nafta dhe duhani janë dy kontribuuesit që kanë ndikuar më së shumti në rritjen e të hyrave nga akciza.
Zyrtari për Informim në Doganën e Kosovës, Adriatik Stavileci, ka deklaruar për gazetën Epoka e re se kryesisht nafta dhe duhani janë kontribuuesit më të mëdhenj në mbledhjen e akcizës. Gjatë këtij viti për import të naftës janë paguar mbi 90 milionë euro, ndërkaq vitin e kaluar ishin 87 milionë, kurse për import të duhanit janë paguar 55 milionë euro, kurse vitin e kaluar ishin 52 milionë euro, është shprehur Stavileci.
Ndërkaq kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, rritjen e buxhetit në kuadër të akcizës së derivateve të naftës e ka konsideruar të dëmshme në aspektin e bujqësisë. Naftën e shfrytëzojnë shumë biznese dhe qytetarë edhe për bujqësi dhe prodhim, prandaj kjo është e panevojshme dhe ngarkesë që ndikon drejtpërsëdrejti në rritjen e kostos së prodhimit dhe shërbimit vendor, ka deklaruar Shahini për Epokën e re.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të biznesit, Lulzim Syla, ka deklaruar për Epokën e re se janë tre faktorë, të cilët kanë ndikuar në rritjen e të hyrave nga akciza gjatë këtij viti. Sipas tij, një prej arsyeve kryesore në rritjen e akcizës në shumën mbi 5 milionë eurosh është mbulueshmëria më e mirë e Doganës në pjesën veriore të Mitrovicës, përkatësisht ulja e kontrabandës që, sipas tij, është faktori kryesor. Syla ka shtuar se arsye tjetër është edhe gatishmëri më e madhe e naftarëve të bashkëpunojnë me ATK-në në vendosjen e arkave fiskale.
Sa i përket rritjes së të hyrave nga akciza e karburantit, ai ka thënë se nafta për bujqësi është subvencionuar. Subvencionimi i sasisë së naftës që është përdorur për nevoja të bujqësisë nuk ka rezultuar në sasi shumë të madhe të përdorimit, por mund të konsiderohet si pjesë e saj, ka thënë ai.
Syla ka shtuar se pjesa, e cila është e subvencionuar, duhet të jetë e ndarë si komponentë në vlerësimin e Administratës Tatimore të Kosovës. Pjesa që paguhet për subvencionin të bujqësisë do të duhej të ishte e ndarë si komponentë e vlerësimit në aspektin e ATK-së, pasi duhet ndarë blerjet e thjeshta dhe subvencionimet e, po ashtu, duhet të bëhet një analizë se nga kanë ardhur mjetet që është rritur akciza, ka përfunduar Syla.