16 Nëntor 2024

Buxheti (s’)mund të miratohet

Prishtinë, 9 nëntor -  Buxheti i Kosovës, i parashikuar për vitin 2016, në vlerë prej 1 miliard e 680 milionë eurosh apo 100 milionë euro më shumë se buxheti i këtij viti, rrezikon të mos votohet, pasi përfaqësuesit e opozitës edhe një herë e kanë rikonfirmuar qëndrimin e tyre se nuk do ta lejojnë mbajtjen e asnjë seance në rrjedha të normales pa tërheqjen e nënshkrimit nga Marrëveshja për Asosacionin e Komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi.

Përfaqësuesit e opozitës kanë thënë për gazetën “Epoka e re” se nuk do ta lejojnë as miratimin e buxhetit për vitin 2016 pa tërheqjen e nënshkrimit nga këto dy marrëveshje.

Anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave, njëherësh deputet i Nismës për Kosovën, Enver Hoti, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se nuk do të lejohet mbajtja e asnjë seance apo puna e Kuvendit pa tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshjet në Bruksel.

“Përderisa nuk ka asnjë ndryshim nga qëndrimet e Qeverisë, gjegjësisht të mazhorancës, të gjitha seancat plenare dhe punimet e Kuvendit do t’i pengojmë. E njëjta vlen edhe për miratimin e buxhetit”, ka thënë ai. Hoti ka shtuar se të gjitha përgjegjësitë bien mbi pozitën, e cila, sipas tij, nuk është duke reflektuar. “Unë bëj thirrje që Qeveria të reflektojë, ta shfrytëzojë këtë kohë dhe t’i marrë përgjegjësitë e saj kushtetuese. Po ashtu, bëj thirrje që kjo Qeveri t’i marrë parasysh kërkesat e opozitës dhe të njëjtave t’u përgjigjet. Qeveria duhet ta shfrytëzojë këtë kohë, përndryshe të gjitha përgjegjësitë, edhe për Projektbuxhetin e vitit 2016, do t’i bartë vetë”, është shprehur anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, njëherësh deputet i Nismës, Enver Hoti.

Qëndrim të njëjtë për miratimin e buxhetit të vitit 2016 ka edhe Adonis Tahiraj nga Lëvizja Vetëvendosje! (VV). Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se pa u tërhequr Qeveria e Kosovës nga marrëveshjet opozita s’do të lejojë që Kuvendi ta aktrojë normalitetin. “Qeveria e Kosovës duhet të tërhiqet menjëherë nga marrëveshjet e dëmshme, të cilat i ka nënshkruar e nëpërmjet të cilave po e shkatërron Republikën e Kosovës, duke e futur Serbinë brenda sërish, si dhe në anën tjetër po ia jep mijëra hektarë tokë Malit të Zi. Pa u tërhequr Qeveria nga marrëveshjet, subjektet opozitare nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë që Kuvendi ta aktrojë normalitetin”, ka thënë ai.

Edhe përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nga Departamenti i Punës dhe Mirëqenies Sociale në një konferencë për medie të dielën kanë thënë se buxheti i paraparë për vitin e ardhshëm nuk do të miratohet në rast se nuk do të ndryshohet marrëveshja për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe ajo për Demarkacionin me kufirin e Malit të Zi.

Eksperti i çështjeve ekonomike në AAK, Haki Shatri, ka thënë se seanca për buxhetin do të bllokohet nëse nuk arrihet zgjidhje për marrëveshjet e Brukselit. “Këto janë dy çështje të ndara. Bllokimit i Kuvendit bëhet për dy marrëveshjet të cilat i kundërshtojmë. Në qoftë se nënshkrimet nuk do të tërhiqen, atëherë edhe aprovimi i buxhetit hyn në grupin e vendimeve të cilat nuk do të përkrahën”, ka thënë Shatri.

Ndërsa Safete Hadërgjonaj, zëvendëskryetare e parë e Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka thënë se Ligji për buxhetin e vitit 2016 është më i rëndësishmi dhe për miratimin e tij pozita i ka numrat, por duhet gjetur mënyra se si të kalojë në Kuvend. “Ligji për buxhetin e Republikës së Kosovës është më i rëndësishmi që kalon në Kuvendin e Kosovës. Dmth., është ligji i cili e vë në funksion mekanizmin e shtetit, prandaj kuptohet se është shumë me rëndësi dhe këtë duhet ta dinë pozita dhe opozita. Kuvendi është vend i debatit, e jo i luftës apo hedhjes së gazit lotsjellës. Unë shpresoj shumë se më në fund opozita do të reflektojë dhe do t’i kthehet punës në Kuvend”, ka thënë Hadërgjonaj.

E pyetur se çfarë do të ndodhë nëse opozita s’do ta lejojë mbajtjen e seancës, Hadërgjonaj është përgjigjur se pozita i ka numrat e nevojshëm për miratimin e tij, por duhet gjetur mënyrën. “Meqenëse është fjala për një pakicë në Kuvend, dmth. për një numër jo shumë pengues, shumica, e cila i ka votat e nevojshme, duhet ta gjejë mënyrën për miratimin e buxhetit të vitit 2016”, është shprehur ajo.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)