Buxheti i SHBA-së nuk është i mjaftueshëm për të ulur borxhin
Washington, 18 shkurt - Një grup i pavarur studimor për çështjet ekonomike thotë se buxheti federal i propozuar nga presidenti Barack Obama ka synime të mira, por nuk është i mjaftueshëm për të ulur borxhin në rritje të vendit.
Përveç disa supozimeve disi optimiste, Komisioni për Hulumtime Ekonomike thotë se propozimet e presidentit janë të qëndrueshme. Por për shkak të atmosferës partiake në Uashington, buxheti mund të mos jetë realist.
I hedhur në 2,000 faqe, buxheti i 2016-ës është harta fiskale për dy vjetët e mbetura në detyrë të presidentit Obama dhe më tej. Ai synon nxitjen e mëkëmbjes ekonomike, sigurinë e Amerikës dhe investime për klasën e mesme.
Por me shumën gati 4 trilionë dollarë, ai mbart një çmim të lartë: 561 miliardë dollarë për mbrojtjen, 478 miliardë për projekte të sektorit publik, 526 miliardë për shpenzime jo-mbrojtëse, shkurtime taksash për klasën e mesme dhe arsim të lartë dy vjeçar falas.
Ekonomistja Diane Lim me Komisionin n për Zhvillime Ekonomike në Uashington thotë se ndërsa plani është i lavdërueshëm, ai nuk është realist.
Nuk kam problem me investimet dhe mendoj se në fakt vendi ynë nuk investon sa duhet në ato gjëra që do të nxisin rritjen ekonomike në një periudhë afatgjatë vetëm se duhen mënyra realiste për të paguar për këtë, përndryshe këto investime nuk do të ndodhin kurrë.
Buxheti parashikon më shumë se dy trilionë dollarë të ardhura nga rritja e taksave gjatë 10 vjetëve të ardhshme, shumica nga korporatat dhe të pasurit, me të cilat do të financohen nismat e presidentit. Por shumica republikane në Kongres nuk ka gjasa ti pranojë ato.
Siç është tani, buxheti do ta shtojë borxhin kombëtar me 6 trilionë dollarë të tjerë deri në vitin 2026.
\"Pas një ose dy dekadash, do të vëmë re, se ne ende nuk nuk kemi gjetur mënyrën si të mbajmë të ulur koston e kujdesit shëndetësor në mënyrë që shpenzimet qeveritare për të moshuarit të mos rriten me ritme kaq të lata sa tani.
Kjo duhet ti shqetësojë investitorët, thotë zonja Lim, pasi gjendja e ekonomisë më të madhe të botës varet krejtësisht nga shëndeti i saj financiar.
Por gjatë dëshmive para Kongresit, sekretari i Thesarit Jack Lew tha se ekonomia amerikane jo vetëm që po rritet në një nivel të qëndrueshëm, por edhe më mirë se shumica e vendeve të tjera.
\"Fakti është se bizneset tona krijuan gati 3 milionë vende pune vitin e kaluar, numri më i madh që nga fundi i viteve 90. Nga prespektiva globale ne vazhdojmë të jemi në gjendje më të mire se partnerët tanë tregëtarë, shumë prej të cilëve ende po përpiqen të dalin nga kriza ekonomike globale.\"
Kongresi dhe presidenti duhet të bien dakort për buxhetin para se ai të bëhet ligj dhe në se të dyja palët nuk tregojnë vullnet politik për të gjetur zgjidhje për kujdesin e shtrenjtë shëndetësor, programet e pensionit dhe borxhin e lartë, zonja Lim thotë se ky dokument nuk ka vlerë.
\"Shumë, shumë pak do të miratohet, jua garantoj këtë.