Buxheti i MPJ-së për vitin 2017 i pamjaftueshëm
Prishtinë, 19 dhjetor - Shqyrtimi i projektbuxhetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) për vitin 2017, ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga Elmi Reçica, kryetar.
Lidhur me këtë, anëtarët e Komisionit u njoftuan nga përfaqësuesi i kësaj Ministrie, Vlorat Gashi, i cili njoftoi për shpenzimet e këtij viti, si dhe për planifikimet buxhetore për vitin e ardhshëm.
Gjatë këtij takimi, Gashi ofroi sqarime edhe për vërejtjet buxhetore lidhur me këtë Ministri, bazuar në analizën buxhetore, të kryer nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI).
Për sa i përket buxhetit për vitin e ardhshëm, përfaqësuesi i MPJ-së, Gashi, tha se, ai është i pamjaftueshëm për të zhvilluar aktivitet të suksesshëm diplomatik dhe kërkoi shtimin e tij, ndërkaq, lidhur me analizën buxhetore të NDI-së, vlerësoi se, të gjitha shpenzimet e Ministrisë janë të realizuara në harmoni me ligjet në fuqi.
Për buxhetin e kësaj Ministrie, i cili sipas Projektbuxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2017, është paraparë që të jetë për dy milionë euro më i lartë se sa i vitit paraprak, anëtarët e komisionit, megjithatë mbështetën kërkesën e MPJ-së, që kërkesa e tyre të shqyrtohet në fazat e mëvonshme.