Buxheti i Kosovës shqyrtohet në seancën e 25 marsit
Prishtinë, 15 mars - Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2011, do të shqyrtohet për herë të parë në seancën e 25 marsit, ka vendosur sot Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit.
Kryesia ka ngarkuar Komisionin për Buxhet dhe Financa (si komision i përhershëm), ta shqyrtojë Projektligjin për Buxhetin dhe Kuvendit tia paraqesë Raportin me rekomandime, për shqyrtim dhe miratim.
Kryesia, në këtë mbledhje ka shqyrtuar edhe çështje të tjera nga fushëveprimi i saj.
Lidhur me kërkesën e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për emërimin e auditorit të jashtëm për auditim të pasqyrave vjetore financiare, Kryesia e ka ngarkuar Administratën e Kuvendit, që në bashkërenditje me Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike, të ndërmarrë veprimet përkatëse për shpalljen e njoftimit për kontratë lidhur me emërimin këtij auditori.
Kërkesën e Avokatit të Popullit për shpalljen e konkursit për pesë zëvendës të Avokatit të Popullit, Kryesia ia ka deleguar Komisionit për legjislacion në mënyrë që ai Kuvendit tia paraqesë rregullat procedurale për zgjedhjen dhe emërimin e zëvendësve të Avokatit të Popullit, në pajtim me nenin 8.14, të Ligjit për Avokatin e Popullit.
Raportin e Punës së Agjencisë së Prokurimit Publik të Kosovës, për vitin 2010 dhe Raportin e Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2010, Kryesia ia ka deleguar Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për ti shqyrtuar raportet dhe Kuvendit tia paraqesë Raportin me rekomandime, për shqyrtim dhe miratim.
Kryesia e ngarkon Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media,që ta shqyrtojë Propozim-Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me emërimin e anëtarëve për Komisionin Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, për të përgatitur raportin me rekomandime për këtë çështje.
Propozimin, ndërkaq, të kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me propozimin e anëtarit në Komisionin për kërkesa pronësore, Kryesia, ia ka kaluar Komisionit për legjislacion, që ta shqyrtojë kërkesën dhe Kuvendit tia paraqesë Raportin me rekomandime, për shqyrtim dhe miratim.
Duke i shqyrtuar kërkesat e ish-kryetarëve të Kuvendit, Nexhat Dacit dhe Kolë Berisha, lidhur me përfitimet për ish-zyrtarë të lartë, Kryesia e ka autorizuar Administratën e Kuvendit që të përgatisë një interpretim lidhur me mundësitë e zbatimit në rastrin konkret të Ligjit për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë.
Nuk është mbështetur, ndërkaq, kërkesa e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, për caktimin e tre deputetëve, si anëtar të Komisionit të ngritur lidhur me rishikimin dhe hetimin e të gjitha aktvendimeve të marra nga Paneli për Lirim me Kusht nga data 16 tetor 2010 deri me 22 shkurt 2011, duke vlerësuar se pushtetet janë të ndara, ndaj deputetët nuk mund të jenë anëtarë të trupave të ekzekutivit.