Buxheti i Kosovës pritet të miratohet në seancën e 31 marsit
Kështu ka vendosur sot Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare.
Vendimin për procedim më të shpejtë të Projektligjit për Buxhetin, nga sa e parasheh Rregullorja e Kuvendit, Kryesia e ka marrë pas vlerësimit të urgjencës së çështjes dhe pas raportimit në Kryesi të kryetares së Komisionit për Buxhet dhe Financa, znj. Safete Hadërgjonaj, e cila ka pohuar se Komisioni është në përfundim të amendamentimit të Projektligjit për Buxhetin.
Anëtarët e Kryesisë, ndërkaq, kanë kërkuar që edhe kurse tri komisionet e tjera të përhershme (Komisioni Legjislativ, ai për Interesat e Komuniteteve dhe Komisioni për Integrime Evropiane), punën rreth këtij projektligji ta përfundojnë gjatë ditës së mërkurë, në mënyrë që materiali sa më parë tu shpërndahet deputetëve.
Kryesia, në këtë mbledhje, ka shqyrtuar edhe çështje të tjera nga fushëveprimi i saj. Kështu kërkesën e Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, për uljen e taksës menaxhuese, si dhe Raportin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, për vitin 2010, Kryesia ia ka deleguar Komisionit për Buxhet dhe Financa, që të përgatisë për Kuvendin raportin me rekomandime.
Të njëjtin komision Kryesia e ka ngarkuar ta shqyrtojë edhe Propozimin lidhur me përzgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, ndërkohë që pritet të arrijë edhe mendimi i Qeverisë për këtë çështje.
Po në këtë mbledhje anëtarët e Kryesisë e kanë ngarkuar Komisionin për Legjislacion të përgatisë raportin me rekomandime lidhur me Raportin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, për vitin 2011.
Kryesia e ka tumirë, ndërkaq, propozimin e deputetit Nait Hasani, i mbështetur nga shtatë deputetë të tjerë, për debat parlamentar për masakrën në Burgun e Dubravës. Çështja do të shtrohet në njërën nga mbledhjet plenare të Kuvendit, siç e parash Rregullorja e Kuvendit.