Buxheti i Komunës së Prishtinës për 2016 do të jetë 65.8 milion Euro
Prishtinë, 8 shtator - Në Kuvendin Komunal u mbajt takimi publik për shqyrtimin e propozim buxhetit për vitin 2016, i cili është pjesë e Kornizës Afatmesme Buxhetore të Komunës së Prishtinës për periudhën 2016 2018.
Në këtë takim, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se janë realizuar 9 diskutime buxhetore me qëllim që të inkorporohen edhe vërejtjet dhe sugjerimet e qytetarëve dhe se ky takim është realizuar pikërisht që të mblidhen sa më shumë komente të qytetarëve konform mundësive buxhetore.
Ahmeti bëri të ditur se tre projektet kryesore që kanë implikime më të mëdha buxhetore, siç, janë obligimet e Komunës së Prishtinës ndaj ujësjellësit për ndërtimin e fabrikës së ujit në Shkabaj (5 milionë euro), projekti i koogjenerimit/faza e II të përmes së cilës parashihet ndërrimi i nënstacioneve, si dhe projekti i nënshkruar me BERZH për blerjen e autobusëve të rinj dhe reformimin e trafikut urban.
I pari i Komunës së Prishtinës veçoi po ashtu edhe ndërtimin e shkollave dhe institucioneve parashkollore, Qendrave të Mjekësisë Familjare, ndërtimin e stadiumit të qytetit, ndërsa po ashtu bëri të ditur se bashkë me Qeverinë e Kosovës janë në prag të një marrëveshjeje për bashkimin e dy projekteve në një, atë të ndërtimit të Pallatit të Operës dhe Baletit dhe Sallës Koncertale në një objekt që do të shërbente për të dy institucionet dhe do të ishte në qendër të Prishtinës, përballë Teatrit Kombëtar.
Buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2016 do të jetë 65.883.762 Euro. Ky buxhet do të financohet nga granti i përgjithshëm në vlerë prej 13.577.625 Euro (20.6%), granti specifik për arsim në vlerë prej 17.603.615 (26.7%), granti specifik për shëndetësi në vlerë prej 4.702.522 Euro (7.1%), si dhe nga të hyrat vetjake të Komunës 30.000.000 (45.5%).
Sa i përket kategorizimi të të hyrave, planifikohet që të hyrat kryesore të gjenerohen nga taksa për leje të ndërtimit (8.500.000 Euro), legalizimi i ndërtimeve pa leje (5.000.000 Euro) dhe tatimi në pronën e paluajtshme (6.300.000 Euro). Ndërsa, burimet sekondare të të hyrave do të jenë gjithashtu edhe të hyrat nga parkingu, shpronësimet e tokave komunale dhe taksa për shfrytëzimin e sipërfaqeve publike.
Propozim buxheti për vitin 2016, pas miratimit në Kuvendin Komunal do ti dorëzohet Ministrisë së Financave më së largu deri më 30 shtator.