Buxheti i Komunës së Gjilanit do të arrijë në afër 30 milionë deri në vitin 2022
Gjilan, 26 shtator - Kuvendi Komunal i Gjilanit, nën kryesimin e Shpresa Kurteshi-Eminit, ka shqyrtuar dhe miratuar sot buxhetin për vitin 2020 si dhe vlerësimet e hershme për vitet 2021-2022, rregulloren për taksat, ngarkesat dhe gjobat komunale, vendimin për themelimin e grupit punues për hartimin e planit vjetor të punës të Kuvendit të Komunës për vitin 2019, kërkesën për renovimin e shtëpisë së familjes Shabani në Përlpenicë si dhe një informatë të Drejtorisë së Arsimit për fillimin e vitit të ri shkollor.
Fillimisht, nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, duke u përgjigjur në pyetjet e këshilltarëve komunalë rreth disa projekteve konkrete si dhe çështjeve të tjera që kryesisht kishin të bënin me investimet në infrastrukturë, ka thënë se punimet në rrugën e Kumanovës janë ndërprerë përkohësisht për shkak të disa problemeve që janë paraqitur me rrjetin e kanalizimit, por është shprehur optimist se ky problem do të tejkalohet brenda javës së ardhshme.
Ndërkaq, sa i përket renovimit të një objekti në Bresalc, për nevoja të qytetarëve të atjeshëm, Ismajli ka thënë se Komuna është e gatshme të intervenojë në renovimin e kësaj godine, nëse paraqitet një kërkesë nga këshilli i fshatit.
Përndryshe, në pyetjet tjera të këshilltarëve komunalë: Ibish Ibishi, Shefik Surdulli, Enver Hajrullahu, Riza Abdyli, Nevzad Isufi, Festa Shabani, Bujar Nevzati, Arbëreshë Hyseni, Arijeta Rexhepi, Milivoje Stojanoviq, Anila Tusha, Arta Haziri-Nuhiu, Nehat Osmani, Mimoza Kadriu, Shemsedin Elezi dhe të tjerë, janë përgjigjur drejtorët Naser Korça, Ramiz Ramadani, Nevzat Rushiti, Valbonë Tahiri, Selami Xhemajli e Sali Fazliu.
Kuvendi ka miratuar edhe projekt-buxhetin për vitin fiskal 2020, që sipas qarkores buxhetore, do të jetë mbi 27.5 milionë euro, ndërsa deri në vitin 2022 do të arrijë 29.5 milionë euro. Zijadin Maliqi, drejtor për Financa, ka thënë se vitin e parë buxheti do të rritet për 7.7 për qind në krahasim me 2019, ndërsa për dy vitet tjera rritja do të jetë 3.5, përkatësisht 3.7 për qind.
Për investime kapitale janë planifikuar mbi 5 milionë euro, ose mbi 18 për qind e buxhetit të përgjithshëm, për të arritur në mbi 5.3 milionë në vitin 2022. Të hyrat komunale, nga viti në vit, do të shënojnë rritje prej 4.6 – 4.9 milionë euro.
Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se në planifikimin e buxhetit janë marrë parasysh edhe kërkesat e qytetarëve nga dëgjimet publike, të cilat janë mbajtur në disa lokalitete, sipas një plani të përcaktuar në Komitetin për Politikë dhe Financa.
Riza Abdyli (PDK) ka thënë se planifikimi i buxhetit në komunat e Kosovës po bëhet në mënyrë të gabuar, sepse mjetet më të mëdha po orientohen tek asfalti, në vend se përparësi t`i jepet arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë.
Burim Berisha (LDK) ka thënë se në planifikimin buxhetor duhet të përfshihet një shumë prej 150 mijë euro për biznese të vogla dhe të mesme, të cilat do të jepen në formë të granteve, Ndërkaq Nevzat Isufi (VV), i cili i bëri një analizë të hollësishme buxhetit, ka thënë se planifikimi nuk është bërë siç duhet, sepse nuk janë paraparë mjete të mjaftueshme te disa kategori, si për shembull te subvencionet.
Ibish Ibishi (KP) tha se shëndetësia primare ka nevojë për më shumë investime, në mënyrë që të zgjerohen shërbimet brenda këtij niveli, derisa Festa Shabani shtroi pyetjen nëse janë paraparë investime në hapjen e një qendre të mjekësisë familjare në lagjen “Zabeli....”. Arta Haziri-Nuhiu u interesua për mundësinë e investimeve në hapësirat e sektorit të kulturës, ku gjendja nuk është e mirë.
Gentrit Murseli (LDK) ka thënë se në dëgjimet publike janë paraqitur kërkesa të ndryshme nga qytetarët dhe kërkoi të dijë se cilat prej tyre janë përfshi si prioritete në planin buxhetor të vitit 2020. Edhe Shefik Surdulli (PDK) tha se në projekt-buxhet mungon lista e specifikuar e projekteve të planifikuara.
Kuvendarët e kanë mbështetur në mënyrë unanime kërkesën për ndarjen e një shume prej 10 mijë eurove, për nevoja të renovimit të shtëpisë së familjes Shabani në Përlepnicë të Gjilanit. Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Selami Xhemajli ka sqaruar se bëhet fjalë për një rast mjaft të rëndë, ku ka edhe persona të sëmurë. Për më tepër, ai ka sqaruar se renovimi i shtëpisë do të kryhet përmes procedurës së prokurimit.
Po ashtu, Kuvendi, sipas rekomandimit të MAPL-së, ka bërë rishikimin e rregullores për taksa komunale, te pjesa që ka të bëjë me ndërtimet, ku Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka vlerësuar se nuk është në harmoni me dispozitat ligjore në fuqi. Sqarimet në këtë pikë ka dhënë Sadri Arifi, sekretar i Kuvendit.
Sa i përket vitit të ri shkollor, sipas informatës së Drejtorisë së Arsimit, procesi ka filluar mirë e mbarë në të gjitha shkollat, ku sivjet mësimet i vijojnë 17.233 nxënës.
Përndryshe, projekt-rregullorja për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës të subjekteve afariste, e cila me 14 vota për dhe 13 kundër u hoq nga rendi i ditës, ka ngjallur më së shumi debat në Kuvend. Para një jave, kjo rregullore iu nënshtrua edhe një dëgjimi publik, ku dallimet ishin të dukshme.
Festa Shabani (PSD), këshilltarja më e zëshme për të mos e hequr këtë pikë nga rendi i ditës, ka thënë se nuk duhet të pritet që punëtorët të vijnë në dëgjim publik dhe të flasin kundër shefave të tyre, prandaj ka kërkuar nga anëtarët e Kuvendit që të bëhen bashkë dhe ta miratojnë sot këtë rregullore, e cila përcakton qartë orarin e punës së subjekteve afariste.
Valbona Tahiri, drejtoreshë e Zhvillimit Ekonomik, sikurse edhe një numër i këshilltarëve komunalë, kanë kërkuar që të pezullohet përkohësisht procedimi i projekt-rregullores, për t`i dhënë kohë komisionit që t`i analizojë komentet dhe ankesat e të gjitha palëve, në mënyrë që të bëhet një rregullore e cila nuk i dëmton interesat as të punëtorëve dhe as të bizneseve.
Ajo ka thënë se në disa komuna të tjera, ku kjo rregullore është miratuar, ka probleme në zbatimin e saj.
Njëherësh, në këtë seancë e ka bërë betimin anëtari i ri, Emrah Ismail nga komuniteti turk, i cili erdhi si zëvendësim për Renan Imam, që ka kaluar në shërbimin civil komunal.