Buxheti 2 miliardësh, bazament i zhvillimit ekonomik të Kosovës
Prishtinë, 24 dhjetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti kanë dalë sot në një konferencë për gazetarë ku kanë folur për Buxhetin prej 2 miliardë eurosh për vitin 2017, të miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Kryeministri Mustafa ndër të tjera tha se ky buxhet i dakorduar plotësisht ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar, hap mundësinë e implementimit të programit qeverisës për vitin 2017.
Si koalicion qeverisës kemi punuar bashkërisht, kemi punuar ngushtë në këtë buxhet, kemi punuar që të përvijojmë orientimet themelore zhvillimore duke u bazuar në specifika të veçanta të këtij Buxheti.\"
\"Fakti se kemi arritur marrëveshje të kemi një buxhet për herë të parë që kalon 2 miliardë euro, me një orientim zhvillimor dhe me fuqizim të investimeve kapitale ka kërkuar një kohë më të gjatë të diskutimeve, të sqarimeve dhe dilemave lidhur me mundësitë dhe kapacitetet implementuese të këtij buxheti, lidhur me fluksin e burimeve që do të vijnë në këtë buxhet, që mendoj se përfundimisht është shprehur pozitivisht dhe do të ndikojë që buxheti të jetë i qëndrueshëm dhe të ketë efekte pozitive në stabilitetin makroekonomik, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa, tha po ashtu, se përgjatë dy viteve prej marrjes së detyrës në vitin 2014, Qeveria ka rritur buxhetin për 400 milionë euro dhe se këto të hyra nuk janë rritur duke ngritur tatimet dhe taksat, por duke i ulur dhe duke i përshtatur ato me nevojat e bizneseve dhe me nevojat e qytetarëve.
Ky buxhet e orienton jo vetëm mënyrën e shpenzimit të parasë publike, por edhe mënyrën e të menduarit ekonomik afatgjatë. Me këtë buxhet ne fillojmë të krijojmë një bazament më të fortë të flukseve financiare për buxhetet e ardhshme sepse rrisim investimet kapitale 45 për qind më shumë krahasim me ato të këtij viti, tha kryeministri duke përmendur fushat kryesore ku do të investohet si në bujqësi, në infrastrukturë, në forcimin e shtetit ligjor, në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka prezantuar orientimet konkrete të këtij buxheti si dhe ecuritë aktuale.
Dëshiroj të shfrytëzoj rastin dhe mundësinë që sot të falënderoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të pozitës dhe opozitës për mbështetjen e këtij buxheti prej 2 miliardë eurosh, që është buxhet rekord për Republikën e Kosovës, më i larti që ka pas ndonjëherë vendi, por një buxhet që është plotësisht i qëndrueshëm dhe i përgatitur në konsultime të gjëra me të gjitha palët e interesit që janë të involvuara në këtë buxhet, tha ministri Hoti.