Bukoshi në shënjestër për fondet e paraluftës
Prishtinë, 20 korrik - Ish-kryeministri në ekzil i Kosovës, Bujar Bukoshi është vënë në shënjestër të një afere të nxitur nga ish-partia e tij LDK lidhur me fondet e tre për qindëshit, që grumbulloheshin nga fillimi i vitit 1990 e deri në luftën e vitit 1999 në Kosovë nga ana e diasporës në mbarë botën.
Qeveria e Bukoshit ishte grumbulluese e këtyre fondeve dhe më pas ajo bënte shpërndarjen e tyre.
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së nga dega në SHBA, Musa Daka ka ngritur çështjen e këtyre fondeve dhe kërkesën për përgjegjësi për Bukoshin, për të dhënë raport mbi këto fonde të paraluftës në Kosovë, shkruan sot gazeta Express.
Kjo kërkesë për sqarime rreth Fondit nga i cili janë financuar kryesisht LDKja dhe formacioni ushtarak FARK, është bërë nga Daka në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të LDKsë, mbajtur të hënën e kaluar.
Në një bisedë për Express, Daka thotë se ka fakte të forta përballë ish-udhëheqësve të Fondit, për keqpërdorime të djersës së mërgatës.
Kërkesa ime në Këshillin e Përgjithshëm ka qenë që Grupi parlamentar të kërkojë llogari nga Fondi, për të cilin asnjëherë nuk është dhënë llogari. Dihet kush ka qenë Kryeministër dhe kush e ka udhëhequr Fondin, ka thënë Daka.
Fondin e ka udhëhequr Bujar Bukoshi, i cili ka qenë Kryeministër në Ekzil, derisa Isa Mustafa ka qenë Ministër i Ekonomisë dhe Financave. Jo që dyshoj, por kam fakte se është keqpërdorur. Fondi i Republikës së Kosovës pa dashje, pa pëlqimin e askujt është shndërruar në Riinvest, ka theksuar Daka. Kjo çështje është iniciuar që të ngritet edhe në Parlament