BSPK, proteston më 1 maj
Prishtinë, 20 prill - Drejtuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë bërë të ditur se më 1 maj, Ditën e Ndërkombëtare të Punës, do të protestohet me kërkesë për aprovimin e Ligjit të punës, ndarjen e 20 përqindëshit, hapjen e vendeve të punës dhe kërkesave tjera që sipas tyre do t'i bëjnë publike më kohë.
.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, paralajmëroi se protesta e një majit do të jetë ultimatum për Qeverinë e Kosovës për përmbushjen e kërkesave të BSPK-së, në mënyrë që ato të mos mbeten vetëm në letër.
Ndër kërkesa kryesore në këtë protestë sipas tij do të jenë miratimi i Ligjit të Punës dhe përshpejtimi i miratimit të të gjitha ligjeve bazike në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu do të kërkohet edhe pjesëmarrja e BSPK-së në Këshillin Ekonomiko-Social, krijimi i kushteve për punë dinjitoze në sektorët privatë, hapja e vendeve të reja të punës dhe luftë më e ashpër kundër korrupsionit, me moton: Deri kur me korrupsion.
Arifi ka thënë se duke parë gjendjen e vështirë, për ata që punojnë, por edhe për ata që spunojnë, që akoma është një gjendje shumë e rëndë, i ka shtyrë që të organizojnë këtë protestë.
Ai vlerësoi se Ligji i punës nuk u aprovuar, dhe sipas tij, në muajin mars ministri kishte premtuar se ligji është përfunduar dhe do të shkojë në Qeveri për tu aprovuar, por kryeministri të nesërmen tha se ky ligj nuk do të aprovohet. Ai kritikoi se mos miratimi i Ligjit të punës dhe ligjeve tjera bazike shkon në dëm të punëtorëve.
Ndërsa, kryetari i Këshillit të përgatitjen e protestës, Isuf Azemi tha se përgatitjet për protestë kanë filluar dhe deri më tani gjithçka është duke shkuar në rregull, dhe se nga të gjitha degët e BSPK-së kanë konfirmimin për pjesëmarrje në protestë. Apo ashtu ai bëri të ditur kërkesat e protestës.