BSPK mbështetë veprimet sindikale të sindikalistëve të sektorit privat
Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini ka thënë se BSPK përkrahë sindikalistët e kësaj sindikatë në hapat e ndërmarrë sindikal të organizmit të grevës, përmes së cilës shprehin pakënaqësitë e tyre për shkak të mospagesës së rritjes 4% të pagës nga rritja në sektorin publik e vitit të kaluar dhe mos dialogimi për kthimin e këtyre punëtorëve nën menaxhimin e komunës së Prishtinës.
"BSPK duke marrë parasysh gjendjen jo të mirë të punëtoreve të sektorit privat, mos respektimin e Ligjit të punës, Ligjit për mbrojtje dhe siguri në punë, mos rritjes së një page minimale më të dinjitetshme se kjo aktualja dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të punëtorëve që janë të theksuar shumë në këtë sektor, u bënë thirrje organeve gjegjëse që të punojnë më shumë në këtë drejtim sidomos duke bërë mbikëqyrjen e ligjeve që rregullojnë marrëdhënien e punës në vend, në të kundërtën jemi të detyruar që t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë e mobilizimit të punëtoreve që përmes formave më radikale të organizimeve sindikale të punojmë për arritjen e një trajtimi më të mirë të punëtoreve të sektorit privat", thekson Ajdini.
Andaj BSPK-ja sipas Ajdinit shpreh edhe njëherë përkrahjen për veprimet sindikale të ndërmarra nga sindikalistet e sektorit privat dhe cilindo veprim të ardhshëm sindikal që do të ndërmerret nga sindikalistet konformë Ligjit për Organizimin sindikal, me qëllim të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të punëtorëve të sektorit privat.