BSPK kërkon që paga minimale të jetë jo më e vogël se 300 euro
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli ka thënë se përfaqësuesi i Federatave Sindikale, bazuar në mekanizmat profesionalë mbron propozimin që paga minimale të jetë jo më e vogël se 300 euro.
"Llogaritjet paraprake dhe indikatorët ekonomiko realë tregojnë se një pagë minimale në vlerën 300 euro është e arsyeshme dhe reale", ka thënë Hykolli.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës sipas tij pret që partneri social - Qeveria të pranojë këtë propozim të arsyeshëm për lartësinë e pagës minimale të sivjetme.
Ndërkaq ministri i Financave në Kosovë, Hekuran Murati ka thënë së ka dështuar të miratohet propozimi për pagë minimale në vlerë prej 264 euro në muaj.
Ai ka shkruar në Facebook se Këshilli Ekonomik Social ka propozuar pagë minimale prej 240 eurosh në muaj, ndërsa Qeveria ka propozuar 1.5 euro për orë, apo 264 euro në muaj.
Ministri Murati tha se nuk është mbështetur nga përfaqësuesit e sindikatave.
“Kundërshtimi nga ana e sindikatave nuk ka kuptim dhe nuk mund të shpjegohet meqenëse asnjë nga punëtorët që ata përfaqësojnë nuk preket nga paga minimale, për shkak se pagat e tyre janë dukshëm mbi nivelin e pagës minimale. Krejt çka arrihet me këtë mos-votim është se punëtorët e sektorit privat do të vazhdojnë ta kenë pagën minimale 170 euro”, ka thënë Murati.
Me Ligjin e Punës në Kosovë, ky Këshill propozon vlerën e pagës minimale në fund të çdo viti kalendarik, çka më pas kalon për miratim te Qeveria.