BSPK i jep një muaj ultimatum qeverisë për ngritjen e pagave
Kryetari i BSPK-se Haxhi Arifi ka deklaruar se do ti jepet kohë ekzekutivit që të realizojë pagat me rritje deri në aprovimin e buxhetit për këtë vit, por nëse kjo nuk realizohet, atëherë do të ndërmerren hapa tjerë sindikalë me greva dhe protesta në gjithë sektorët.
Mirëpo edhe BSPK-ja e arsyetojë vendimin për shtyrjen e rritjes së pagave të shërbyesve civilë sepse sipas Arifit pas takimit informativ me qeverinë dhe zyrtarë të ambasadës amerikane, kanë arritur në përfundimin që rritja e pagave të prolongohet deri pas miratimit të buxhetit të këtij viti.
Ai theksoi se BSPK-ja nuk do të heqë dorë nga rritja e pagave. Për këtë ai theksoi se do të zhvillojnë takime edhe me përfaqësues ndërkombëtarë dhe vendorë, që të marrin garanci se ky vendim do të zbatohet.
Nga ana tjetër, Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Shkollave të Kosovës (SBASHK), Ali Shabanaj, ka konfirmuar se në gjimnazin Sami Frashëri të kryeqytetit ka nisur greva, në shenjë pakënaqësie me mospagesën e rritjes së premtuar të pagave në janar.
Po ashtu në grevë janë edhe një pjesë e mësimdhënësve të gjimnazit "Eqrem Çabej".
Por Ali Shabanaj ka përsëritur se sindikata që tubon mësimdhënësit nuk e mbështet grevën në këtë moment. Ai tha se gjimnazi Sami Frashëri nuk është pjesë e SBASHK-ut.
Në një konferencë me gazetarë, ai ka thënë se do ti jepet Qeverisë kohë edhe një muaj, deri në miratimin e buxhetit, dhe nëse as atëherë nuk realizohet ngritja e rrogave, do të ndërmarrin vetë masa.
Sindikalistët rikonfirmuan se punëtorët nuk do të nënshkruajnë lista tjera të pagave, përveç atyre me rritje.