Bruto Produkti Vendor shënon rritje reale për 6.36 për qind
Prishtinë, 16 mars - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon të dhënat e Bruto Produktit Vendor (BPV) për tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2021, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve, me çmime aktuale dhe me çmime të vitit paraprak.
BPV-ja në TM4 2021 shënon rritje reale për 6.36%, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM4 2020).
Aktivitetet ekonomike, që kishin rritje në këtë tremujor ishin: Tregtia me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, transporti dhe magazinimi, aktivitetet e akomodimit dhe të shërbimit ushqimor (14.82%); aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike, aktivitetet e shërbimeve administrative dhe mbështetëse (5.95%); artet, argëtimi dhe çlodhja, aktivitetet e prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbimet e tjera (4.78%); industria nxjerrëse, përpunuese, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër, furnizimi me ujë, aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, aktivitetet e rehabilitimit (4.32%); informacioni dhe komunikimi (4.03%); bujqësia, pyjet dhe peshkimi (1.83%); aktivitetet e pasurive të paluajtshme (1.97%); dhe aktivitetet financiare dhe të sigurimit (0.41%).
Ndërkaq, aktivitetet ekonomike, që shënuan rënie reale në këtë tremujor ishin: administrata publike, sigurimi social, arsimi dhe shëndetësia (-5.75%); dhe ndërtimtaria (-5.21%).
Komponentët e BPV-së sipas metodës së shpenzimeve, që kishin rritje ishin: eksporti i mallrave dhe shërbimeve (33.38%); importi i mallrave dhe shërbimeve (17.09%); shpenzimet e konsumit final (8.65%); dhe Shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (4.46%).
Me vlerësimin e tremujorit të katërt, sipas metodologjisë ASK-ja, jepet një vlerësim paraprak për vitin 2021, i cili mbështetur në shumën e tremujorëve, kishte një rritje reale prej 10.53%, krahasuar me vitin 2020.