Bruto Produkti Vendor shënon rritje reale për 3.8%
Prishtinë, 12 korrik - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Bruto Produktin Vendor (BPV) për tremujorin e parë 2016, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale dhe konstante.
BPV-ja në TM1 të vitit 2016 shënon rritje reale për 3.8% në krahasim me TM1 të vitit 2015. Rritja reale e BPV-së sipas aktiviteteve ekonomike është si vijon: hotelet dhe restorantet me 14.0%; ndërtimtaria me 8.2%; shërbimet e tjera me 3.5%; transporti dhe magazinimi me 3.3%; tregtia me shumicë dhe pakicë 3.1%; furnizimi me energji elekrike, ujë dhe trajtim të mbeturinave me 2.4%; aktivitetetet financiare dhe të sigurimit 2.2%; dhe të tjerat me një rritje më të vogël.
Ndërsa, rënie reale kishte në të dhënat e: industrisë nxjerrëse (8.1%); afarizmit me pasuri të patundshme (4.0%); administrimit publik (2.2%).
BPV-ja sipas qasjes së shpenzimeve ka pasur rritje në: formimin e bruto kapitalit me 22.1%; importin e mallrave dhe shërbimeve me 13.0%; shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe Institucionet Jopërfituese në Shërbimin e Ekonomive Shtëpiake (IJPSHESH) 5.3%; eksportin e mallrave dhe shërbimeve 0.6%; si dhe në shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me 0.9%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.