Bruto Produkti Vendor shënon rritje reale për 3.3 për qind
Prishtinë, 7 tetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Bruto Produktin Vendor (BPV) për tremujorin e dytë 2016, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve me çmime aktuale dhe konstante.
BPV-ja në TM2 të vitit 2016 shënon rritje reale për 3.3% në krahasim me TM2 të vitit 2015.
Rritja reale e BPV-së sipas aktiviteteve ekonomike është si vijon: transporti dhe magazinimi me 10.9%; hotelet dhe restorantet me 7.8%; aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 5.1%; furnizimi me energji elektrikë, ujë dhe trajtim të mbeturinave me 4.8%; tregtia me shumicë dhe pakicë me 4.6%; ndërtimtaria me 4.0%; dhe bujqësia, gjuetia, pylltaria me 2.0%.
Ndërsa, rënie reale kishte në të dhënat e: afarizmit me pasuri të patundshme (4.9%); industrisë nxjerrëse (2.1 %); administrimi publik (1.1%); dhe industria përpunuese (1.0 %).
BPV-ja sipas qasjes së shpenzimeve ka pasur rritje në: formimin e bruto kapitalit me 10.2%; importin e mallrave dhe shërbimeve me 8%; dhe shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake dhe Institucionet Jopërfituese në Shërbim të Ekonomive Shtëpiake (IJPSHESH) me 6.5%.
Ndërsa, rënie reale kishte te shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (8.1)% dhe në eksportin e mallrave dhe shërbimeve (0.5%).