Bruto Produkti Vendor për kokë banori në 2015 ishte 3 277 euro
Prishtinë, 3 nëntor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Bruto Produktin Vendor (BPV) për për vitin 2015, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve, bazuar në ESA2010.
BPV-ja me çmime aktuale në vitin 2015 ishte 5 miliardë e 807 milionë Euro. Rritja reale në vitin 2015 në krahasim me vitin 2014, ishte 4.1 për qind. Ndërsa, BPV-ja për kokë banori për vitin 2015 ishte 3 277 Euro.
Rritje reale në vitin 2015 kishte në këto aktivitete ekonomike: Furnizim me ujë 18.02 për qind; aktivitetete financiare dhe të sigurimit, 17.43 për qind; ndërtimtari, 15.76 për qind; aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike, 14.59 për qind; furnizim me energji elektrike dhe me gaz, 10.41 për qind; shërbime të tjera, 10.36 për qind; transport dhe magazinim, 7.22 për qind; informim dhe komunikim, 6.57 për qind; industri përpunuese, 4.84 për qind; shëndetësi dhe aktivitete të punës sociale, 4.01 për qind; tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i automjeteve dhe motoçikletave, 3.71 për qind; hotele dhe restorante, 2.45 për qind; art, zbavitje dhe rekreacion, 1.73 për qind; edukim, 1.51 për qind; të tjera, 0.10 për qind.
Ndërsa, rënie kishin këto aktivitete: bujqësi, gjueti, pylltari dhe peshkim, me (-4.1 për qind); administrim publik dhe i mbrojtjes dhe sigurim i detyrueshëm social me (-13.7 për qind).
Ndërkaq, rritja reale sipas komponentëve kryesorë të BPV-së, me qasjen e shpenzimeve për vitin 2015 ishte si vijon: Formimi i bruto kapitalit fiks, 12.1 për qind; shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake, 3.8 për qind; importi i mallrave dhe shërbimeve, 3.6 për qind; eksporti neto i mallrave dhe shërbimeve, 2.5 për qind.
Ndërsa, rënie kishin këto aktivitete: shpenzimet e konsumit final të Qeverisë (-6.5 për qind); dhe eksporti i mallrave (-2.6 për qind).