08 Nëntor 2024

Bruto produkti vendor në vitin 2016 është rritur afër 4 për qin

Prishtinë, 28 mars -  Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja Njomza Emini, ka raportuar ministri i Financave, Avdullah Hoti, lidhur me përmbushjen e veprimeve të agjendës evropiane dhe nga Plani Kombëtar për zbatimin e MSA-së, që bien në fushëveprimtarinë e kësaj ministrie.

Në fillim të këtij takimi ministri Hoti ka folur për dy çështje, atë të zbatimit të reformave të agjendës evropiane, në pikat që bien në fushëveprimtarinë e Ministrisë së Financave, si dhe për detyrimet që ka kjo ministri ndaj Planit Kombëtar të MSA-së.

“Sa i përket agjendës së reformave evropiane, tek shtylla e parë e cila është qeverisja e mirë, ne jemi përkrahës në atë që ka të bëjë me përgatitjen e koncept-dokumenteve të tri ligjeve bazike të administratës publike, siç është Ligji për Shërbimin civil, Ligji për Pagat dhe ai për organizimin e administratës shtetërore”, tha Hoti, duke shtuar se Ligji për Pagat është dorëzuar në Kuvend, por pastaj qeveria ka vendosur që ta tërheqë atë, me kërkese të KE-së. Këto tri ligje, sipas tij, do të vijnë si pako në Kuvend, ndërsa ka sqaruar faktin se përgjegjësia për këto ligje është e Ministrisë së Administratës Publike.

Sa i përket çështjes së prokurimit publik elektronik dhe të detyrueshëm në institucionet publike, ministri Hoti theksoi se tashmë janë në zbatim të plotë të vendimit të qeverisë të muajit mars 2016, i cili vendim, sipas tij, vendos datat se kur fillon të zbatohet dhe të bëhet i detyrueshëm prokurimi elektronik.

Në vijim, ministri Hoti ka sqaruar se në shkurt të këtij viti qeveria ka miratuar strategjinë e prokurimit publik 2017-2021, e cila, sipas tij, parasheh masat që duhet ndërmarrë në KRPP, me qëllim të përmirësimit të mëtejmë të kornizës ligjore, në rritjen e efikasitetit, transparencës, llogaridhënies, si dhe avancimet tjera që duhet të ndodhin në këtë drejtim.

Sa i përket ekonomisë joformale, ministri Hoti tha se do të dilet me strategjinë e re dhe do të rishikohet plani i Veprimit për vitet e ardhshme.

Përkitazi me këtë, ai ka përmendur një draft-raport i cili tregon se mbi 2/3  e veprimeve që janë paraparë në strategjinë 2014-2018 për luftimin e ekonomisë joformale, janë përmbushur.

Tutje, ai ka folur edhe për obligimet që ka kjo ministri në kuadër të Planit Kombëtar për zbatimin e MSA-së. Ministri Hoti vlerësoi se këtu më shumë kërkohet raportim për progresin në fushën ekonomike dhe në punësim.

Ai ka theksuar se bruto- produkti vendor në vitin 2016 është rritur afër 4 për qind, importi i mallrave ka shënuar rritje në 5.17 për qind, njësoj edhe eksportet, duke përmendur kështu një ngecje të vogël për arsye të pauzës disamuajshe të Ferronikelit, që tashmë është aktivizuar. Ministri Hoti po ashtu tha se edhe sistemi financiar është mirë i kapitalizuar.

Në vijim të këtij takimi, Hoti është përgjigjur në çështje të shumta që u ngritën nga anëtarët e Komisionit: Vjosa Osmani, Fatmir Xhelili, Bislim Zogaj e Time Kadriaj.

Pas raportimit të ministrit Hoti, Komisioni ka shqyrtuar një sërë projektligjesh, me amendamente të komisioneve funksionale. Me këtë rast, Komisioni shqyrtoi Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, me amendamentet e Komisionit funksional, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Kryetarja e Komisionit, Njomza Emini, sqaroi se çështjet në këtë projektligj nuk janë të rregulluara në mënyrë specifike me legjislacionin e BE-së dhe se kjo fushë është kompetencë e brendshme e politikave të shteteve anëtare të BE-së. Ky projektligj u përkrah nga Komisioni.

Në vijim, Komisioni ka përkrahur për procedim në seancë edhe për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për kontrollin dhe mbrojtjen e kufirit shtetëror, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-21, me amendamentet e komisioneve funksionale nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Krejtësisht në fund, Komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin për automjete, me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Përkitazi me këtë projektligj, Emini ka sqaruar se komisioni funksional ka propozuar një nen të ri dhe se për këtë çështje duhet të sigurohet se nuk cenohet zbatimi i obligimeve që janë marrë në kuadër të marrëveshjeve të Stabilizim-Asociimit.

Projektligji është përkrahur nga Komisioni.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)